Presidenti i Kukësit: Asnjëherë skam për ta hequr trajnerin, por ne presim janarin, pasi disa lojtarë nuk janë mirë dhe do vendosim me trajnerin për ta
Bosi i Kukësit ishte dukshëm i mërzitur dhe i nxehur në përfundim të ndeshjes. I pyetur pas përfundimit të takimit nëse pas tre barazimeve rrezikohej trajneri, me një ton mjaft të ashpër është përgjigjur: “Çfarë është kjo pyetje, asnjëherë s’kam për ta hequr trajnerin…”. Durimi në Kukës ka qenë me limit, por tashmë fjalët konfirmojnë të kundërtën. Mbetet për t’u parë nëse vërtet Gjici beson verbërisht te Milinkoviç.
Barazim i tretë radhazi, prisnit më shumë nga ekipi?
Prisnim fitoren, por duke parë që lojtarët e dëmtuar sapo janë rikthyer dhe ende nuk janë në gjendje optimale, edhe barazimi është i pranueshëm. Por për ne nuk duhet të jetë kështu. Besoj se trajneri do ta gjejë tani formacionin e duhur, pasi deri tani ka pasur formacione me arnime, s’ka qenë i plotë. Kamza ka një ekip të mirë, mos të harrojmë se i ka marrë barazimin Skënderbeut, mundi Partizanin dhe na barazoi ne. Nuk jam i kënaqur aspak me barazimin, sepse ekipi kampion duhet të ketë më shumë eksperiencë në këto raste. Tre rezultate janë në futboll. Ky barazim nuk na shkon për shtat. Edhe Kamza ka ekip, pasi s’ka humbur asnjë ndeshje në fushën e vet, çka do të thotë që ka ekip të mirë.
Besoni ende te titulli kampion?
Ne vjet kemi qenë 8 pikë diferencë nga vendi i parë dhe kemi marrë titullin. Kampionati ka ende shumë ndeshje, është herët për të folur. Ne nuk duhet të gabojmë më, sidomos në Kukës.
Milinkoviç dhe e ardhmja te Kukësi…
Milinkoviç është një trajner profesionist, një trajner i rrallë që ka ardhur te Kukësi. Ka besimin tim të plotë ta ndërtojë ekipin pas rikthimit të të dëmtuarve. Kemi dhe merkaton e dimrit, ku do të ndërhyjmë aty ku trajneri ka nevojë. Besoj se do të bëjmë një ekip që do të ruajë titullin. Nuk jam i kënaqur me një pjesë të lojtarëve, nuk kanë dhënë maksimumin. Jam duke i parë deri në dhjetor dhe do të shohim me trajnerin dhe do vendosim.
Pra, në janar do të ketë shumë ndryshime?
Është puna e trajnerit se për çfarë ka nevojë skuadra. Ne do ia plotësojmë kërkesat trajnerit, që të punojë i qetë. Janë rikthyer lojtarët e dëmtuar, por nuk ishin në gjendjen e tyre më të mirë. Hallaçi ishte shumë dobët dhe vetë mosha ndoshta, por dhe koha e gjatë jashtë fushe ka ndikuar. Ishte faji i krahut të Hallaçit, që pësuam golin e dytë. Është e pafalshme për ekipin tonë. Ka pasur probleme në mbrojtje dhe në mesfushë. Këtu do të jetë dhe ndërhyrja. Besoj se do të bëjmë një ekip të mirë.
Tre barazimet e kthejnë në detyrim fitoren në ndeshjen me Partizanin?
Kushti i çdo ndeshje është të fitohet. Ne duam fitore në çdo ndeshje. Vjet kemi marrë 18 barazime dhe kemi dalë kampion, por nuk mendoj se ky trajner do të rrijë te barazimet, do dalë te fitorja. Në ndeshjen e radhës do të jemi te fitorja. Edhe ekipi do t’i thërrasë mendjes dhe do nxjerri përgjegjësitë e veta e të reagojnë me Partizanin, që është një ndeshje e fortë.