Presidenti i kampionëve: Dua një stadium model, jemi në hapat e parë, por vitin e ardhshëm nisin punimet. Skuadrën e takoj pas dy fitoresh
Jurgen Zela
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka folur rreth ndeshjes me Lushnjen, por jo vetëm. Për “Sport Ekspres” numri 1 i kampionëve preku dhe çështjen e titullit kampion, por dhe projektin e stadiumit të ri. Kur do e takojë skuadrën? Vetëm pasi të kenë bërë dhe dy fitore radhazi. Normalisht këtu përjashtohen takimet në pushim të ndeshjes, ku motivimi i Gjicit deri më tani ka dhënë gjithmonë efekt. NJeë politikë që e ndoqi dhe dje në ndeshjen me Lushnjen.
Një fitore me dy gola në fushën e Lushnjes, por një lojë që nuk bind…
Pjesën e parë e kishim marrë me frikë. Alijev humbi disa raste, ashtu si Guri. Edhe Lushnja pati rastet e saj. Në pjesën e dytë u kthyen te loja e tyre. Akoma nuk është ekipi që unë pres, por implementimi i skemave të reja të trajnerit kërkon kohën e vet. Trajneri është lodhur shumë që të përcjellë filozofinë e tij, pasi shumë lojtarë e kuptojnë, por jo të gjithë, ndaj duhet dhe pak kohë për ta sjellë ekipin aty ku unë pres.
Guri dhe Alijev shënojnë golat e parë, besoni se tani do të kenë vazhdimësi?
Besoj se pas golave të shënuar sot nga Guri dhe Alijev, ata do të shpërthejnë, pasi dolën nga ai presioni i golit ku ishin futur. Unë pres shumë nga këto lojtarë, që janë kryesorë për skuadrën.
Dëmtimet nuk po ju lënë aspak të qetë…
Dëmtimi i Shametit na ka prishur shumë punë në mbrojtje. Dëmtimet nuk na janë ndarë, çka na kanë hapur jo pak probleme. Skuadra do të vijë aty ku duhet shumë shpejt. Kam besim.
Keni vënë si kusht fitore të njëpasnjëshme për skuadrën, për të shlyer ndeshjen e fundit me Skënderbeun, por a mund të jetë hedhur pas krahëve ajo humbje?
Skuadra me mua do të takohet pas dy fitoreve të tjera, ndryshe nuk i takoj. Me Skënderbeun ishte një hap fals i madh, që unë nuk e prisja kurrë. Jo se luajti mirë Skënderbeu, por luajtëm ne keq. Natyrisht, kur një skuadër luan keq, atëherë skuadra tjetër do fitojë. Them se duhet ende shumë punë e trajnerit që skuadra të lidhet. Edhe pse ka kaluar goxha kohë, ende nuk janë përshtatur 100%.
Mes shumë mungesash arrini të fitoni, por mungojnë alternativat. E shihni skuadrën të plotë për të synuar mbrojtjen e titullit kampion?
Skuadra jonë është ndërtuar për titull. Investimi është shumë herë më i madh se vitin e kaluar. Problemi është se lojtarët që ne i kemi marrë për të bërë diferencën, nuk janë ende aty ku presim. Nga Alijev kam shumë më shumë pritshmëri, nga Guri po ashtu. Pres të japin akoma më shumë, pasi janë lojtarë të një niveli shumë të lartë. Kjo është në dorën e trajnerit. Në momente të caktuara pamë një lojë shumë të bukur dhe ashtu duhet të jetë loja e Kukësit. Fitorja është fitore, por ne do të bëjmë analizën për të parë se çfarë problemesh e shqetësojnë stafin.
Keni prezantuar projektin për ndërtimin e stadiumit, por ju mund të na thoni në cilat hapa është ky projekt?
Është një projekt ide, nuk është kryer akoma projekti. Ne kemi kontakt me studion dhe unë kam kërkuar një model stadiumi. Studio ka bërë një projekt ide, që ne e kemi prezantuar, por është një projekt që duhet të investohet nga qeveria dhe federata së bashku me klubin. Besoj se vitin tjetër do të nisin punimet, që edhe Kukësi të ketë stadiumin e tij me të gjitha kushtet për të luajtur ndeshje ndërkombëtare.