Gjici i vë notën 7 Kukësit: Tifozët t’i vënë gishtin kokës

Presidenti i kampionëve ka komentuar për “Sport Ekspres” ndeshjen me Laçin, ndeshjen e ardhshme, tifozët dhe sulmin: Alijev pres të shkëlqejë me Skënderbeun

Jurgen Zela

Tre gola të shënuar, një lojë e kënaqshme, por ende jo aty ku duhet për presidentin e Kukësit, Safet Gjicin. Numri 1 i kampionëve ka folur pas ndeshjes për “Sport Ekspres”, teksa fillimisht ka analizuar fitoren me kurbinasit: “Pa diskutim që skuadra u përgjigj mirë, sidomos pjesën e dytë. Në pjesën e parë shpërdoruan shumë raste. Mungesa e Zeqirit në mesfushë ishte shumë e rëndësishme, por shumë raste të humbura nuk më pëlqejnë. Ishte një ndeshje, që duhej vlerësuar shumë, pasi dihej që Laçi do të vinte i mbyllur për të marrë barazimin. Vend për analiza mund të ketë, por fitorja mbetet fitore. Do ta vlerësoja me notën 7 lojën e skuadrës sot (dje)”.

E ARDHMJA – I pyetur, nëse pret më shumë nga ky Kukës, bosi i kuksianëve tregohet i prerë dhe thekson: “Nuk kënaqem me pak. Ne kemi bërë një skuadër shumë më të mirë se sezonin e shkuar, pasi dhe kampionati është më i fortë. Besoj se ekipi, me kalimin e kohës, do të vijë aty ku duhet. Trajneri ka një punë të vështirë për të implementuar skemat e tij. Dikush nga lojtarët mund të përshtatet më shpejt dhe dikush jo. Stafit po ashtu i duhet kohë për të arritur aty ku të gjithë duam”.

SULMI – Sulmuesit u zhbllokuan. Alijev ishte protagonist në golin e parë dhe për Gjicin kjo është diçka pozitive, megjithatë përsërit se pret shumë nga azeri, që nga ndeshja me Skënderbeun: “Jam i kënaqur që Alijev ishte protagonist, pasi ishte nën presion për të gjetur golin. Pres shumë prej tij, pasi e kemi marrë për të bërë diferencën. Besoj se do të vijë aty ku kemi pritur. Duam që me Skënderbeun të shkëlqejë”.

SKËNDERBEU – Në shkuarën kanë spikatur ngacmimet në distancë me homologun Ardian Takaj, por tashmë duket se raporti nuk është i njëjtë: “Nuk kam shumë miq në sport, por mik futbolli patjetër që mund ta pranoj. Ekipi duhet të karikohet më shumë për Skënderbeun. Do të shohim vetëm ekipin tonë, pasi ka ende vend për disa korrigjime. Duhet kohë, që skuadra të konsolidohet, pasi kemi parë që shumë pasime ishin të gabuara. Besoj se do të vijë loja, që realisht dua”.

TIFOZËT – Para  ndeshje presidenti Safet Gjici foli edhe për mungesën e tifozëve, duke mbajtur një qëndrim të prerë: “Tifozët duhet të sensibilizohen dhe të vijnë në stadium. Duhet t’i vënë gishtin kokës, të mos jenë racistë. Ne kemi treguar edhe në situata të vështira se dimë t’ia dalim. Tifozët e Korçës me ata të Kukësit janë si dita me natën. Skënderbeu luan me Mamurrasin në kupë dhe mbushet stadiumi plot. Këtë duhet të bëjnë edhe tifozët e Kukësit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *