Sot paradite klubi i Kukësit ka njoftuar përmes faqes zyrtare në “Facebook” se menaxheri Naim Halili nuk do të ishte më pjesë e stafit të verilindorëve. Diçka e tillë ishte paralajmëruar nga vetë presidenti Safet Gjici një natë më parë, por tashmë klubi e ka bërë fakt të kryer, duke mbajtur dhe qëndrim zyrtar. Për “Vip Sport”, Naim Halili ka komentuar këtë vendim, ku ka theksuar se është një lajm i papritur dhe se do ta diskutojë diçka të tillë menjëherë sapo ai të kthehet nga Greqia: “Ky lajm për mua ka qenë i papritur, aq më shumë për faktin se jam në Greqi aktualisht. Nuk di çfarë të them më shumë. Sapo të kthehem në Tiranë, do të takohem dhe do të flas me presidentin Safet Gjici për këtë çështje”, ka thënë Naim Halili.