Skënderbeu është përjashtuar nga edicioni i ardhshëm në kupat e Europës dhe automatikisht ka përfituar edhe Kukësi, që do të marrë pjesë për të dytin vit rresht në kualifikueset e Champions League.
Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit verilindor, presidenti Safet Gjici flet për Skënderbeun, si dhe vendos objektivat e rinj për Kukësin.
“Skënderbeu, një rival i fortë dhe që i ka dhënë tonin kampionatit shqiptar vitet e fundit, duke ngritur lart emrin e futbollit tonë edhe në arenën ndërkombëtare, ashtu siç ka bërë edhe Kukësi.
Jo vetëm që nuk gëzoj për ndëshkimin e klubit korçar, por mund të them që i gjithë futbolli shqiptar humb nga largimi i Skënderbeut në kupat e Europës. Kanë qenë rezultatet e mira të Skënderbeut dhe Kukësit që bënë të mundur rritjen e koeficientit të kampionatit shqiptar.
Nuk është se do të ndryshojë gjë për klubin tonë, pasi ne kemi nisur përgatitjet që në fillim të qershorit, duke bërë edhe shumë blerje. Njëkohësisht, kemi programuar edhe stërvitjen në kushte optimale në Slloveni dhe disa ndeshje miqësore me rivalë të fortë.
Pjesëmarrja e Kukësit në Champions League thjesht na motivon akoma më shumë, për të vijuar atë që vitin e kaluar fati nuk na e deshi. Nëse më parë kam kërkuar të shkojmë sa më larg, ka ardhur koha që Kukësi të kërkojë minimalisht grupet e Europa League dhe do ta tentojmë fort këtë objektiv.
Kam besim te grupi dhe te stafi teknik me në krye trajnerin Pakult, jam i bindur që do të bëjmë më të mirën. Nuk kam asnjë preferencë në short, mjafton të mos jetë një ekip larg për nga udhëtimi. Falë koeficientit të mirë, Kukësi është në vazon e parë, kështu shanset për të ecur përpara janë të mëdha.”