Nga Klaudio Ndreca
Laçi godet thuajse në çdo sezon me blerje aspak të njohura për tifozët shqiptarë, por që papritur kthehen në kryeqendër të vëmendjes. Këtë herë ishte radha e Kyrian Nwabueze, sulmuesit që ishte “dhimbje koke” për çdo kundërshtar të Superiores.
Pas një kampionati që zhvilloi ku meritoi duartrokitjet dhe vlerësimet e të gjithëve, është momenti për të bërë hapin e radhës. Në fakt u përfol që në merkaton e janarit për një lëvizje të mundshme të Nwabuezes, por priti për një lëvizje më të mirë.
Tashmë fati ka trokitur në derë pasi një mundësi e mirë vjen nga Izraeli. Nwabueze pritet të zëvendësoj Ben Sahar te Hapoel Beer Sheva. Kjo e fundit u bë e njohur në gjithë Europën disa vite më parë, pasi çuditi shumëkënd për mënyrën sesi një skuadër e padëgjuar arriti të mposhte Interin në “Europa League” në dy ndeshje me shifrat 0-2 në Itali dhe 3-2 në shtëpi.
Një skuadër me nivel të lartë në elitën e futbollit të Izraelit që së fundmi ka fituar Kupën dhe është renditur në vendin e katërt në kampionat. Ekipet izraelite gjenden shpeshherë në grupet e “Europa League”, por në raste të veçanta mbërrijnë edhe në “Champions League”. /Sport Ekspres/