Jo të gjithë kanë mundësi në futboll të shpenzojnë shuma marramendëse për të transferuar lojtarë të ndryshëm. Ka dhe disa klube, të cilët mendojnë se nuk është e thënë që të kesh sa më shumë para dhe të shpenzosh sa më shumë për të qenë në majë.
Brentford është një ekip që luan në “Championship” dhe objektivi i tyre është që të ngjiten në Premier Ligë. Sezoni nuk ka nisur dhe aq keq për ta, teksa pas 9 javëve të luajtura, numërojnë 15 pikë dhe janë në vendin e shtatë. Diferenca me kryesuesit e Lids është vetëm 3 pikë, prandaj dhe shanset e Brentford janë të mira për të provuar një ngjitje.
Gjithsesi ajo që ka bërë bujë tek ekipi i Brentford është mënyra se si ata bëjnë investime në klub. Mendimi i këtyre të fundit është se nuk është e thënë që të shpenzosh me patjër për lojtarë, por mund të zgjerosh stafin, ku kanë bërë diçka paksa të çuditshme. Ekipi që militon në “Championship” ka vendosur një specialist gjumi për të qenë pjesë e ekipit.
Detyra e këtij të fundit, sipas stafit të Brentford duket se është që të ndihmojë lojtarët për të marrë vendime të ndryshme, që nuk është e thënë të jenë vetëm në fushën e futbollit. Kjo nuk është diçka e re për ekipin e Brentford, të cilët kanë në stafin e tyre dhe një trajner vetëm për goditjet drejt portës. Një risi me të vërtetë interesante që pritet me kureshtje se sa efikase mund të rezultojë.