Ergys Luga ishte pjesë e stafit të Gentian Stojkut, ndërkohë që ai punon edhe me moshat. Pikërisht te këta të fundit ai e shoh shpëtimin e Kamzës, që mori së fundmi një dënim të rëndë nga Komisioni i Disiplinës. Goditja e Eldorian Hamitit pas ndeshjes me Laçin solli përjashtimin e Kamzës, ndërkohë që Luga e ka të fiksuar në memorien e tij gjithçka ndodhi. Sigurisht nuk është ndjerë mirë.
“Nuk mund të rri dot pa reaguar! Si zëvendëstrajner dhe trajner i moshave të FK Kamzës, isha prezent në atë agravim situate që solli rënien tonë 2 kategori më poshtë. Imazhi do të mbetet gjatë në mendjen time. Ndoshta ishte, ndoshta edhe s’ishte penallti, por ama gjesti është i dënueshëm, anti-sportiv dhe i tepruar.
‘Shkaku dhe pasoja’ ishin i mbledhur përbrenda gjatë gjithë kampionatit. Morëm dënim të rëndë, ndoshta të pa dëgjuar më parë. Ne do të rikthehemi më të fuqishëm. Kamza po rrit breza të artë për të ardhmen, kjo është e ardhmja jonë që do të na kthejë përsëri në majat e futbollit Shqiptar. Kamza nuk është vetëm”.