“Gjermania do të fitojë Botërorin”, parashikimi i Jurgen Klopp: Norvegjia dhe Japonia do të befasojnë

Jürgen Klopp, një nga figurat më me ndikim në futbollin modern, ka ndarë së fundmi mendimet e tij rreth ecurisë së turneut dhe skuadrave që pritet të dominojnë skenën. Për ish-teknikun e mirënjohur, nuk ka vend për dilema kur bëhet fjalë për fituesin e mundshëm të këtij edicioni. Ai sheh te Gjermania një forcë të ringjallur dhe një grup solid që ka të gjithë përbërësit e duhur për të shkuar deri në fund të rrugëtimit.

Në analizën e tij, Klopp u shpreh me tone mjaft optimiste për ecurinë e kompeticionit:

“Favoriti? Gjermania. Nuk kam dyshim se do të jenë kampionë. Deri më tani dy fitore, një e madhe, por mbi të gjitha, kemi parë ndryshime që kanë funksionuar dhe një ekip të bashkuar. Mendoj se të gjithë favoritët do të jenë në çerekfinale, sepse vlera do të bëjë diferencën, së bashku me ekipet që e kanë rritur nivelin e tyre dhe këtu kam dy shembuj në mendje: Norvegjia, e cila ka një brez të jashtëzakonshëm, dhe Japonia”.

Përveç besimit të palëkundur te kombëtarja e tij e lindjes, gjermani vë në dukje edhe progresin e jashtëzakonshëm të skuadrave si Norvegjia dhe Japonia. Sipas tij, ndonëse logjika e cilësisë së pastër do të dërgojë emrat e mëdhenj në çerekfinale, këto dy kombëtare përfaqësojnë rrezikun më serioz për të prishur hierarkinë tradicionale të futbollit botëror. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/