Gjermania e të rinjve nuk di të humbasë, edhe pse i mungojnë yje si Manuel Nojer, Mesut Ozil apo Tomas Myler. Ndeshja e luajtur dje në “Kazan Arena” me Kilin u mbyll në barazim 1-1 dhe kjo qe një nga sfidat më interesante në fazën e grupeve të Kupës së Konfederatave, turne që po luhet në Rusi një vit para Botërorit të shumëpritur. Pasi kishin fituar në ndeshjet e para, përkatësisht ndaj Australisë dhe Kameruni, këto dy ekipe servirën një ndeshje spektakolare, por në fund asnjëra nuk fitoi dhe kështu do të ndajnë vendin e parë në grup me nga katër pikë.
Ndeshja
Loja nisi me shumë vrull dhe kilianët përfituan nga një shpërqendrim i gjermanëve për të shënuar golin e parë. Sulmuesi i Arsenalit, Sançez, duke përfituar nga një gabim i Mustafit, fillimisht gjeti shtyllën dhe më pas rrjetën, pasi kombinoi me lojtarin e Bajernit, Vidal. Me këtë gol 28-vjeçari, i cili spekulohet se do të jetë lojtari i ardhshëm i Bajernit, u bë golashënuesi më i mirë i historisë së Kilit me 38 gola. Ky ishte edhe goli numër 400 në historinë e Kupës së Konfederatave, një jubile! Kampionët e botës e morën veten me shumë vështirësi. Ata nuk dilnin dot lehtë në sulm, sepse i penalizonte edhe formacioni shumë difensiv i trajnerit Lëv. Gjithsesi, katër minuta para mbylljes së pjesës së parë “panterat” ia dolën të barazonin me Shtindlin, i cili e gjeti portën të boshatisur pas një kombinimi me Hektorin dhe Xhanin. Kështu u mbyll jo vetëm pjesa e parë, por edhe e dyta, me dy skuadrat të cilat e rritën ritmin e lojës, por nuk patën fat para porte. Kili u tregua disi më cinik me topa të gjatë në minutat e fundit dhe me krose mund ta kishte gjetur golin e fitores, por gjermanët patën durim dhe menaxhuan disa situata mjaft të vështira. Në fund gjithçka u mbyll 1-1 dhe tashmë nuk ka dyshime se dy skuadrat që do të kalojnë më tej luajtën në “Kazan Arena”.