Thomas Brdariç është trajneri aktual i Vllaznisë mbi të cilin është bazuar edhe projekti i ri i shkodranëve. Një emër shumë i njohur i futbollit gjerman teksa ka qenë pjesë si lojtar në disa ekipe të Bundesligës, por në rolin e trajnerit nuk ka asgjë për t’u mbajtur mend.
Madje mundësia e ofruar nga Vllaznia shihet si fantastike për vetë teknikun 43-vjeçar që dëshiron të bëjë të lumtur shkodranët, ndërsa më pas të ketë mundësinë që të drejtoj një ekip profesionist në Gjermani. Në një intervistë për “SportBuzzer”, Brdariç u ka treguar gjermanëve edhe futbollin shqiptar duke vlerësuar nivelin e tij.
“Në Shqipëri është ende 25 gradë dhe dielli është akoma i fortë. Jam plotësisht i lumtur që punoj në Shkodër. Kampionati shqiptar mund të keqkuptohet në Gjermani, por ne kemi ekipe këtu që kanë luftuar për kualifikimin në “Europa League”.
Tani kemi një bojkot në kampionatin tonë. Është si të jesh nëntë muaj shtatzanë dhe duhet ta fillosh me ritëm të ngadaltë. Koha e pritjes është mjaft e gjatë. Unë dua që të shkojmë në Europë, dua t’i dërgojë lojtarët deri në atë nivel. Ky hap është i rëndësishëm për mua dhe mundësi e shkëlqyer që të tregoj veten.
Kam ambicie të madhe që të marrë një ekip profesionist në Gjermani pas një kohe. Duhet të largohesh nga ideja se trajner quhesh vetëm nëse ke drejtuar në kategorinë e 1 dhe të 2 në Gjermani. Ky ishte edhe qëllimi im duke dalë jashtë vendit. Ndonjëherë duhet të bësh rrugë të tilla për të mbërritur te objektivi”, tha Brdariç. /Sport Ekspres/