Mesfushori pritet të bashkohet sot me grupin. Nëse nuk ia del, gati është Donjet Shkodra. Mbetet për t’u parë roli i Osmanit dhe gjendja e Lilajt
Gjergji Muzaka është lojtari që po mban peng formacionin e trajnerit Ilir Daja, të paktën deri dje pasdite. Trajneri i Skënderbeut nuk e ka ndarë mendjen në lidhje me 11-shin, që do të zbresë në fushë të enjten në Vlorë, kjo edhe për shkak të atyre që nuk kanë mbërritur nga grumbullimi me kombëtaret, por më shumë edhe nga dëmtimet e ditëve të fundit. “Sport Ekspres” bën të ditur se Gjergji Muzaka ka pasur një problem të vogël dëmtimi, që në fakt e ka lënë edhe dje larg grupit, duke kryer stërvitje individuale. Kjo ishte dita e dytë që Muzaka kreu vrapime të lehta dhe sipas stafit mjekësor, pritet që sot të bashkohet me grupin për të vijuar normalisht stërvitjen. Prej javësh Muzaka është cilësuar titullar dhe mungesa e tij ka bërë që formacioni të mbetet ende pezull. Nëse Muzaka nuk do t’ia dalë, i gatshëm është Donjet Shkodra, i cili mund të kthehet titullar në stadiumin, ku shkëlqeu një sezon më parë. Gjithçka pritet të konfirmohet pas seancës së nesërme stërvitore.
TË TJERËT – Formacioni i korçarëve, me shumë gjasa, do të jetë sulmues të enjten, edhe pse luhet në një transfertë të vështirë, siç është ajo e Vlorës. Kapiteni Shehi do të jetë në portë, ndërkohë që edhe në mbrojtje situata është e qartë, pas mungesës së Bajram Jashanicës. Dyshimi i vetëm është, nëse trajneri Daja do ta vendosë Osmanin në mbrojtje apo përpara saj. Nëse Osmani luan në mesfushë, Aliti do të jetë përkrah Radasit, Vangjelit dhe Micit në mbrojtje. Në mesfushë, Lilaj duhet të sakrifikojë të enjten, pasi luajti dje me Shqipërinë në Turqi. Taku është i sigurt përkrah tij, ndërsa lojtari tjetër do të jetë njëri mes Muzakës dhe Shkodrës. Sulmi është i fiksuar me Gavazajn dhe Xhejmsin nga krahët, si dhe Ali Soue në majë. Ky është pak a shumë formacioni i së enjtes për Skënderbeun.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut, 4-3-3
Shehi
Vangjeli Radas Osmani Mici
Taku Lilaj Muzaka
(Shkodra)
Gavazaj Soue Xhejms