Gjergji Kone ishte zhdukur prej gati një viti nga bota e futbollit. Ish-lojtari i përfaqësueses greke ka luajtur për herë të fundit në 22 mars të vitit të kaluar, ndërsa që prej muajve të verës ishte një lojtar i lirë. Së fundmi 31-vjeçari ka vendosur ta çojë karrierën e tij në një trajektore shumë të çuditshme.
Ekipi i ri i futbollistit të lindur në Tiranë është “West Melbourne Group”. E veçanta e këtij klubi është se akoma nuk ka zhvilluar një ndeshje zyrtare dhe Kone hyn në histori si lojtari i parë. Për të luajtur një ndeshje zyrtare me këtë skuadër, 31-vjeçarit do i duhet të presë deri në muajin tetor, pasi momentalisht ai është lojtari i vetëm i skuadrës.
Në muajt në vazhdim skuadra do të kompletohet, ndërsa së shpejti të përzgjidhet dhe trajneri. Natyrisht, lojtari i përfaqësueses greke nuk do të presë deri në tetor. Në ditët në vazhdim Kone do të huazohet në një kampionat ku periudha e regjistrimeve është ende e hapur.