Atalanta është “hirushja” e Italisë sezonet e fundit, madje cilësohet edhe si ekipi që zbaton lojën më të bukur në Serie A. Shifra e golave të shënuara prej tyre është e frikshme, për këtë arsye shpesh sulmi merr meritat kryesore. Por nëse i hedhim një sy më të imtësishëm çelësi i suksesit për Gasperinin është mbrojtja, ku një rol thelbësor luan edhe Berat Gjimshiti.
Mbrojtësi shqiptar, së bashku me Toloin janë dy pika kryesore në Atalantën e Gasperinit, teksa me kalimet e tyre i japin mjaft frymë edhe sulmit. Prapavija e bergamaskëve ndihmon vërtet shumë repartin sulmues, pasi me daljet e tyre përpara Toloi dhe Gjimshiti i japin më tepër alternativa skuadrës si dhe furnizojnë zonën me krosime. Një gjeometri perfekte e Gasperinit e vënë në zbatim në mënyrën më të mirë të mundshme në fushën e lojës.
Një mbrojtje ndryshe e për t’u patur zili në Itali, pasi në 10 mbrojtësit me kalimet më kyçe në Serie A gjejnë vend Toloi dhe Gjimshiti. I pari me rekordin prej 13 të tilla, ndërsa lojtari kuqezi me 8 kalime thelbësore. Kështu suksesi i Atalantës vjen nga pas dhe një dorë e mirë vjen nga mbrojtësi shqiptar./Halit Delibashi-Sport Ekspres/