Ermal Tahiri ka analizuar situatën e vështirë në të cilën gjendet Dinamo në këto momente. I ftuar në panelin e emisionit “Skaner” në “MCN TV”, ish-futbollisti i nëndetëses blu liston gabimet e bërë gjatë këtij sezoni, duke e nisur nga ndryshimi i logos e deri te ndërtimi jo i duhur i skuadrës.
“E para do e nis nga logo. U ndryshua logo, gjëja më e shëmtuar që mund të bëhet në një ekip. Ajo më shumë duket si logo e PD, jo e Dinamos. Morën një trajner pa eksperiencë, në një klub me histori si Dinamo. Fajet janë shumë. Vetëm 6 lojtarë, kanë shënuar me fanellën e Dinamos këtë sezon. Lekët e hedhura nga presidenti janë të dështuara në këtë që ka bërë deri tani. Janë shënuar vetëm 15 gola, nga 6 lojtarë.
Është një dështim total nga lojtarët e marrë. Nuk shikoj një lojtar nga mesfusha të ketë shënuar. Të gjithë lojtarët që janë marrë, janë marrë me një plan për ta bërë Dinamon fituese. Partizanit edhe mund t’i falet, sepse i ikën lojtarët pas Europës, por Dinamos nuk i falet, sepse e krijuan ekipin që në qershor. Duhet të dublosh të paktën pozicionet. Dinamo e nisi me dy qendërmbrojtësa dhe nuk kishte të tjerë. Që këtu filloi gabimi”, ka deklaruar Ermal Tahiri./Sport Ekspres/