Gerhard Takaj: Ju tregoj se si u ringrit Skënderbeu edhe më i fortë

Intervista ekskluzive me menaxherin e përgjithshëm të korçarëve, Gerhard Takaj: Nuk kemi frikë asnjë skuadër europiane, jemi familje e madhe

Leonard Trebicka

“Që të thyhet Skënderbeu nuk mjafton as perandoria otomane. Premtojmë se do të investojmë dhe do të punojmë për një Skënderbe sa më të madh. Vendimin e Etikës, që na hoqi një titull, nuk dua ta komentoj, sepse të gjithë, edhe ata, po e shikojnë kush është Skënderbeu”, thekson në intervistën ekskluzive për “Sport Ekspres” menaxheri i përgjithshëm i Skënderbeut, Gerhard Takaj, i cili ka më shumë punë gjatë verës, kur është kohë merkatoje. Madje, presidenti Ardjan Takaj i ka lënë pjesën më të madhe të punëve djalit të tij dhe Gerhardi po e bën shumë mirë rolin që ka.

Gerhard, Skënderbeu është në fazën e “play-off”-it të Europa League. E prisnit?
Sigurisht, madje kemi shanse edhe për më tej, pretendojmë grupet e Europa League. E meritojmë plotësisht të jemi këtu ku jemi dhe fusha vazhdon të tregojë kush është Skënderbeu. Ata që besonin te ky Skënderbe, besojnë shumë se mund të shkojmë edhe më larg.
Ndaj Kairatit pakkush besonte se do të kalonit, po ashtu edhe me Mladën. A i kaloi kjo skuadër të gjitha parashikimet?
Realisht, besimi i njerëzve ishte i vogël ndaj nesh, pasi vinim nga disa sulme. Ne kurrë nuk e kemi nënvlerësuar ekipin që kemi dhe treguam se jemi këtu vetëm falë punës së madhe dhe me meritë të plotë. Sigurisht, ishte e vështirë, për këtë jam koshient, por pavarësisht të gjitha vështirësive, ia dolëm të prezantohemi sërish në Europë si një skuadër e madhe. Madje, bëmë krenare Korçën dhe gjithë shqiptarët.
Radhën e ka Dinamo e Zagrebit, një kundërshtar shumë më i fortë se dy emrat e parë. Mendimi juaj?
Dinamo e Zagrebit është një skuadër e fortë dhe me eksperiencë. E provuam para dy vitesh, por kemi tashmë eksperiencën dhe ky është një plus më shumë. Nuk jemi më si para dy vitesh. Gjithsesi, e kemi parë kush është Dinamo e Zagrebit.
Mos ndoshta është më e fortë se Kairati apo Mlada?
Unë them jo. Do të bëjmë lojën tonë dhe do të japim gjithçka për gjithçka, për të arritur objektivin madhor, që janë grupet. Tani jemi një familje e bashkuar dhe nuk jemi më vetëm një ekip futbolli. Besoj se kjo na ka dhënë frymën dhe guximin për të qenë sërish ekipi i vetëm shqiptar, që dhuron emocionet më të mëdha dhe që do të vazhdojë të thyejë rekorde në Shqipëri.
Dy sezone më parë Skënderbeu eliminohej nga Dinamo e Zagrebit. Po këtë verë, a do të jetë tjetër “melodi”?
Këtë verë “melodia” ndryshon totalisht, pasi e theksova edhe më sipër se jemi me eksperiencë më të madhe. E njohim shumë mirë kundërshtarin. Do të bëjmë të pamundurën në fushë, që të dalim ne fitues dhe personalisht kam shumë besim. Kemi një skuadër heroike në të gjitha drejtimet.
Ndeshja e parë luhet në Zagreb. Sa e favorizon Skënderbeun?
Favor do të jetë vetëm nëse ne atje marrim një rezultat pozitiv, pasi në ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena” ju garantoj që tani se do të kemi një super stadium, të mbushur plot.
Pas shortit, kroatët kanë “fërkuar duart”…
Nuk besoj se ata do ta nënvlerësojnë Skënderbeun, por e përsëris se gjithçka do ta tregojë fusha.
Flasim pak për merkaton. Ali Soue është i vetmi përforcim para “play-off”-it, apo presim të tjerë?
Ali Soue aktualisht është i vetmi përforcim. Madje, edhe për kampionat mund të kemi e shumta dy përforcime dhe kaq do të mjaftojnë. Gjithsesi, përpara Dinamos së Zagrebit mund të kemi edhe ndonjë tjetër afrim.
Taku largohet nga Skënderbeu. Ka ndonjë shans të kthehet?
Ne bëmë një marrëveshje në fillim dhe ajo ka përfunduar. Do të kthehet? Mbase po, por tani jemi të fokusuar vetëm te ndeshja e radhës.
Cili është sekreti i këtij Skënderbeu, që po shkon kaq larg në Europë?
Suksesi është se jemi një familje e madhe, që përkushtohemi çdo ditë vetëm tek ekipi dhe bëjmë të pamundurën për t’u ngritur sa më lart në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar. Punojmë vërtet shumë dhe besojmë po kaq shumë, prandaj jemi këtu ku jemi.
Po afron edhe kampionati ndërkohë…
Kampionati fillon në shtator dhe po mundohemi që edhe pas shtatorit të enjteve shqiptarëve t’u sjellim ndeshet e Skënderbeut në Europa
Latifi vazhdon të përflitet si largim i sigurt dhe ju keni thënë se do të largohet pas ndeshjeve europiane. Po nëse Skënderbeu futet në grupe?
Latifi është një lojtar shumë i rëndësishëm për Skënderbeun. Ne shpresojmë ta kemi gjithmonë, pasi është lojtar shumë i mirë, ashtu si janë edhe të tjerët te Skënderbeu. Por, kur Europa e thërret, nuk mund ta ndalojmë atë të arrijë nivelet e tij maksimale, pasi edhe ne përfitojmë si klub.
Cili do të jetë projekti më i afërt i Skënderbeut?
Fokusi i klubit është që në vazhdim të investojë tek akademia, të prodhojë talente për gjithë Shqipërinë. Por për këto më mirë le të flasim më vonë. Jemi fokusuar 100% te Dinamo e Zagrebit.
Ju po i bëni krenarë shqiptarët, por Etika ju hoqi një titull. Deri ku është çështja në fjalë, keni bërë ndonjë ankesë?
Nuk ia vlen ta komentosh fare Etikën, pasi edhe pjesëtarët e saj po e shikojnë me sytë e tyre çfarë po bën Skënderbeu në Europë.
Së fundi, sa beson Gerhard Takaj se ky Skënderbe do të vazhdojë të bëjë “ligjin” në futbollin shqiptar?
Që të thyhet Skënderbeu, nuk mjafton as perandoria otomane. Premtojmë se do të investojmë dhe do të punojmë për një Skënderbe sa më të madh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *