Këtë edicion sytë janë edhe nga Belgjika, ku aktivizohen disa nga futbollistët shqiptar. Sot, Sindrit Guri dhe Ostende e tij ka pritur ekipin e Genk, ku aktivizohet dhe Edon Zhegrova.
Skuadra e lojtarit të përfaqësueses së Kosovës ka mundur që të marrë një fitore 0-2 në transfertë, por nuk e ka pasur aspak të lehtë ndaj skuadrës së shkodranit. Të dy golat iu shënuan në harkun kohor të 6 minutave, ku fillimisht ishte Trosard që nuk gaboi nga pika e bardhë në minutën e 79-të dhe vetëm 6 minuta më pas ishte Malinovksi që dyfishoi.
Në këtë ndeshje nuk ishin protagonist as Guri dhe as Zhegrova. Ish-sulmuesi i Kukësit luajti për 90 minuta, ndërsa në krahun tjetër 19-vjeçari ishte në fushë vetëm për 65 minuta. Guri ishte rreziku numër 1 për portën mike, por nuk arriti që të shënonte, siç bëri një javë më parë ndaj Anderlehtit.