Gega: Nuk e nënvlerësova Tërbunin, prisja më shumë tifozë

Partizani e fitoi ndeshjen e parë ndaj Tërbunit në Pukë dhe kualifikimi në raundin tjetër është një histori e mbyllur, duke pasur parasysh disnivelin midis skuadrave. Pas ndeshjes, trajneri Skënder Gega ka folur për mediat.

Ai theksoi se nuk e kishin nënvlerësuar kundërshtarin, por po mendonin edhe për ndeshjen me Laçin, që luhet të dielën në fushën e kurbinasve.

“Ishte hera e parë që unë si trajner, marr pjesë në një kompeticion të tillë, siç është Kupa e Shqipërisë ndaj Tërbunit . E kishim vlerësuar këtë përballje, erdhëm me qëllim të fitonim dhe arritëm objektivin. Provova lojtarë të rinj të afruar nga skuadra U19,  pasi një pjesë e ekipit po përgatitet në Tiranë për ndeshjen me Laçin. Nuk e kisha nënvlerësuar Tërbuf in. Humbëm shumë raste dhe shpenzuam shumë. E komplimentoj edhe kundërshtarin për shpirtin luftarak dhe sjelljen që treguan në fushë”, ka deklaruar Gega fillimisht.

Trajneri i Partizanit nga ana tjetër u shfaq i habitur nga numri i pakët i tifozëve në stadium. “Prisja më shumë tifozë, pasi si në Pukë ashtu dhe në shumë vende të Shqipërisë Partizani ka tifozë, gjithsesi ndeshja u zhvillua në një ambjent mjaft të mirë”, shtoi Gega.

Në lidhjen me kundërshtarin, tekniku i të kuqve deklaroi: “Tërbuni ka luajtur dy herë me ekipin tonë të dytë dhe e njihja pak a shumë. Është një ekip që luan futboll me shpirt dhe treguan se aty ku janë mund të bëjnë më mirë. Është një ekip i ri i ndërthurur me lojtarë me eksperiencë. Ne erdhëm të fitonim për të lehtësuar vendin e dytë dhe u kënaqëm. Qëllimi tjetër i yni ishte që të shihnim lojtarë të rinj që nuk kanë pasur minutazh deri më tani”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *