Gega: Mos prisni spektakël nga ne, duam titullin! Sot na mungoi… qetësia

Trajneri i Partizanit Skënder Gega foli për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport” pak minuta pas përfundimit të ndeshjes kundër Tiranës. Tekniku i të kuqve foli për ndeshjen dhe gjendjen e të dëmtuarit Hektor Idrizaj.

NDESHJA – “Prisja më tepër nga skuadra. Derbi ka adrenalinën, tensionin e vet. Sidomos kur vjen përballë një ekipi që ka 20 pikë më pak dhe nuk ka presion. Tirana dhe maksimumin në pjesën e parë, pa i hequr meritat, por në pjesën e dytë ne ishim më mirë dhe prisja më shumë.”

LOJA – “Mënyra sesi luajtëm ne ishte e tillë. Ndoshta nuk japim shumë spektakël dhe nuk shquhemi për goditje në portë. Gjithsesi, kjo mënyrë loje na ka sjellë këto rezultate dhe nuk është e thënë të gjuash pafund që të marrësh rezultatet e duhura.”

DUKA – “Duka ishte në presion. Nuk bëri shumë gabime, por nuk u fut në lojë. U munduam ta linim para Malës dhe Telushit, por megjithatë e pamë të arsyeshme për ta ndërruar në pjesë të dytë dhe futa Rexhepin. Ishim shumë më të qetë se në pjesën e parë.”

KUKËSI-LUFTËTARI – “Luftëtari ka biznesin e vet. Nëse duan të luajnë fort, ose lehtë përballë Kukësit, nuk është puna jonë. Ne shohim ekipin tonë, na rikthehet Trashi dhe shohim vetëm grupin tonë.”

FORMACIONI – “Pjesën e parë do e bëja sërish të njëjtë. Na penalizoi vetëm fusha, pasi bëmë më të mirën. U munduam në pjesën e dytë të korrigjonin diçka dhe me lojtarët që kishim në dispozicion, bëra zgjedhjet e duhura. Jo çdo gjë është perfekte: ndonjëherë futesh nga stoli, jep maksimumin, ndonjëherë asgjë. Luajtëm përballë Tiranës, një skuadër që di të të vendosë në presion. Fitorja për ne ishte domosdoshmëri, por në futboll ka dhe barazim.”

QETËSIA – “Besoj se është e vërtetë. Skuadra nuk ishte shumë e qetë. U munduam të rrinim të qetë dhe t’i largoheshim presionit, por atmosfera e derbit ndikoi shumë. U munduam të futeshim në ritmin e duhur, por Ngo dhe Hasani janë të rrezikshëm dhe duhej të shikonim dhe pas. Nuk e bëmë perfekt kundërsulmin, humbën disa topa të panevojshëm. Por ky është futbolli dhe si unë, si ekipi, do të bëjmë ndryshimet e duhura për ndeshjen kundër Kukësit. Analiza para ndeshjes? Asnjë strategji. Dolëm fiks nga hoteli, por trafiku në Tiranë dihet. U bllokuam në rrugë dhe kjo ishte gjëja që ndodhi. Nuk ishte strategji ardhja me vonesë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *