Nga Klaudio Ndreca
Kukësi do të ketë një përballje ferri ndaj Wolfsburgut, atje ku për ekipin gjerman shihet vetëm si një formalitet kualifikimi në turin pasardhës. Flasim për skuadrën e Bundesligës, megjithëse asgjë nuk mund të quhet e mbaruar duke parë performancën e fundit të Kukësit ndaj Slavias, teksa me Gegën ka bindur menjëherë me paraqitjen e zhvilluar.
Por si do të jetë përballja për Wolfsburg? Në Gjermani nuk kanë shumë njohuri për Kukësin, por Valdet Rama u tregon gjithçka. Futbollisti që disa vite më parë ka luajtur me Wofsburg, por edhe me verilindorët, ka paralajmëruar ekipin gjerman se nuk do ta ketë rrugën e shtruar në Shqipëri. Gjithashtu duke i këshilluar se duhet ta nisin me “marsh të pestë”, për të mos i komplikuar më tepër gjërat.
“Ndeshja kundër Wolfsburgut do të jetë momenti më kryesor për lojtarët e Kukësit, por Wolfsburgu është padyshim favorit. Megjithatë duhet të shtypi gazin për të kaluar sa më shpejt. Pashë ndeshjen e Kukësit me Slavia Sofian, ishin vërtet shumë mirë. Krijuan raste të pastra në portën kundërshtare, lojtarët luftuan dhe dhanë 100% nga vetja. Wolfsburgut do i duhet të bëj një përpjekje në Shqipëri. Gega ka bërë një ekip të fuqishëm dhe kompakt që në fillim që mund t’ia bëjë jetën të vështirë çdo ekipi të klasit të lartë. Kukësi luan gjithmonë për titull, në Shqipëri janë ekipi më i mirë. Incidente nga tifozët si në rastin e Legias? Kur kam qenë unë në Shqipëri, nuk ka pasur gjëra të tilla, futbolli ynë ka evoluar”, ka thënë Rama. /Sport Ekspres/