Mediet bullgare braktisin konferencën e trajnerit Starova. Për “Sport Ekspres”: E njohim më mirë kundërshtarin. Jemi përmirësuar fizikisht
Trajneri Sulejman Starova doli në konferencën për shtyp ditën e djeshme. Dalje mediatike e programuar para ndeshjes rezultoi një dështim, pasi mediet bullgare nuk ishin prezente. Një sjellje aspak profesionale dhe mbi të gjitha e turpshme e tyre. Nuk dihet arsyeja që çoi në këtë sjellje të medieve vendase, por asgjë nuk e ndryshon turpin dhe fyerjen e turpshme që iu bë Partizanit dhe vetë trajnerit Sulejman Starova. Në Shqipëri, tekniku i tyre Nikola Kirov, u respektua deri në fund nga mediet shqiptare. Mediet bullgare ishin të lajmëruara për vendin dhe orarin e stërvitjes dhe konferencës së klubit të kuq, por asnjë nga ata nuk ka qenë prezent. E turpshme!
STAROVA – “Sport Ekspres” ka arritur të komunikojë me teknikun Sulejman Starova. Gazeta i ka marrë disa fjali para ndeshjes me Botevin duke qenë se edhe vështirësia është e madhe. Numri një i stolit të kuq beson se skuadra do të japë maksimumin sot në fushën e lojës. “Bullgarët vijnë më të avantazhuar pas rezultatit të takimit të parë. Fitorja e tyre erdhi për shkak se kanë më shumë minuta në këmbë, kjo pasi kanë më shumë ndeshje miqësore dhe në kampionat. Në këtë takim kemi edhe ne avantazhin tonë, pasi kundërshtarin e njohim më mirë dhe do të japim maksimumin në fushën e lojës. Udhëtimi me autobus? Nuk besoj se do të ndikojë. Lojtarët ishin mirë fizikisht në seancën e fundit”, – përfundon trajneri Starova. Dikush duhet t’u thotë të kuqve se kampionati i Bullgarisë fillon me 14 korrik, pasi Botevi nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare më shumë se Partizani.