Gavazaj dhe Nimaga me probleme fizike, kthehet Osmani në formacion

Korçarët në prag të ndeshjes së sotmes ndaj Vllaznisë nuk janë akoma në 100% të tyre, kjo pasi disa lojtarë edhe në seancën e djeshme stërvitore që ishte edhe e fundit njëkohësisht kanë shfaqur disa probleme të vogla fizike. Pa diskutim që Enis Gavazaj është lojtari që e ka ndjerë edhe ngarkesën e takimit të fundit në Beograd dhe sot mendohet që ta nisë nga stoli këtë takim. Kosovari është duke punuar edhe terapi dhe nuk ka probleme dëmtimi, por thjesht nga ngarkesa, pasi kujtojmë që sapo u rikthye nga mungesa një mujore, përballoi 90 minuta vërtet me shumë rritëm. Akoma nuk është gati 100% as Bakari Nimaga, lojtar që duket se duhet të presë ndeshjen e ardhshme për t’u rikthyer në fushë. Ndërkohë ditën e djeshme edhe Radas e Vangjeli edhe këta kanë shfaqur ndonjë problem të vogël fizik, por që nuk shqetësojnë aspak, pasi sot pritet të jenë në fushë nga minuta e parë. Lojtari i vetëm që ka qenë i dëmtuar ishte Bruno Dita, që ditën e djeshme është rikthyer për t’u bashkuar me grupin dhe në këtë mënyrë Daja e ka grupin thuajse të plotë, por sigurisht lodhja e Beogradit do të bëjë që të ketë disa ndryshime në formacion.

Osmani rikthehet në formacion, vetëm mbrojtja nuk ndryshon

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka pasur disa mëdyshje për formacionin që do të zbresë në fushë në përballjen ndaj Vllaznisë. Me problemet e vogla fizike dhe me lodhjen që mbizotëron në fakt te Skënderbeut, Daja ka menduar që sot të rreshtojë në fushë të tijtë duke i rreshtuar me skemën 4-3-3, pra thuajse e njëjta si në Beograd pak ditë më parë, por me ndryshime në emra. Vetëm mbrojtja sot pritet të jetë reparti që të mos ndryshojë asnjë emër, ndërkohë që do të kemi pa diskutim rikthimin e Tefik Osmanit nga minuta e parë.

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut

Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Osmani – Muzaka, Lilaj – Taku, Soue, Xhejms

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *