Sinqeriteti natyrisht që nuk i mungon. Pas derbit të humbur me Interin, Xhenaro Gatuzo e pranon se, për ndeshjen e bërë, Milani i tij nuk meritonte më tepër. “Me pikë natyrisht që Interi e meritoi. Ata luajtën më mirë dhe rezultati ishte i drejtë. Megjithatë, nëse sfida do të ishte mbyllur në barazim 0-0, nga kjo ndeshje mund të nxirrnim shumë aspekte pozitive”, deklaroi trajneri kuqezi.
“Interi luajti shumë futboll fizik, diçka që neve nuk na shkon për shtat. Mund ta qarkullonim më mirë topin, por u frikësuam. Duhej të kishim shfaqur më tepër kurajë! Deri në minutën e 92-të ditëm të vuanim, ishte hera e parë që e realizuam këtë prej startit të kampionatit. Keqardhje për 15 minutat e fundit të ndeshjes, kur kishim 4-5 raste të mira, por nuk arritëm ti shfrytëzonim”.
Kur i’u kërkua që të komentonte daljen e gabuar të portierit Donaruma, në episodin e golit të Ikardit, Gatuzo u përgjigj: “Nuk duhet ti themi asgjë Donarumës, ashtu si edhe të gjithë skuadrës. Në rastin e golit, gaboi e gjithë mbrojtja”.
“Faji është i të gjithëve, nuk duhet ta drejtojmë gishtin vetëm nga një individ. Menjëherë pas kësaj ndeshje, do të nisim të shohim përpara. Në momentin e golit, i gjithë reparti e lexoi gabim situatën, nuk e humbëm derbin për shkak të Donarumës, por sepse nuk treguam kurajë dhe sepse Interi luajti më mirë”.