Një muaj me Hasan Likën nuk ka prodhuar ndonjë ndryshim pozitiv në lojë e rezultate. Presidenti Grigor Tavo po mendon seriozisht ndryshime madhore
Nuk ka paqe në Gjirokastër. Sezoni i ri nisi ters, me organizimin dhe grumbullimin e vonuar të skuadrës, ndërsa më pas dyshja drejtuese Kurbelo-Fernandez nuk funksionoi, për shumë arsye, duke nisur nga problemi i gjuhës. Pas tyre erdhi Hasan Lika, por bilanci i trajnerit të njohur ka qenë mjaft negativ, 5 humbje në 7 ndeshje mes kampionatit e kupës. Renditja “qan” dhe në Gjirokastër po e ndiejnë gjithnjë e më shumë rrezikun e rënies nga Superiorja, ndaj presidenti Grigor Tavo po mendon revolucionin në drejtim, përveçse një merkato serioze. Në horizont, sërish trajner i huaj, por këtë radhë më afër nesh, edhe në mentalitet, pasi kanë nisur kontaktet me trajnerë italianë, mëson “Sport Ekspres”.
DËSHTIMI URUGUAIAN – Kur Luis Kurbelo e Daniel Fernandez morën drejtimin e Luftëtarit në verë, të shumtë ishin ata që u habitën. Për çfarë duheshin dy trajnerë, nga Amerika e Jugut, pa asnjë lidhje me futbollin shqiptar? E thjeshtë, njëri prej tyre ishte trajner me licencë evropiane, tjetri jo, njëri duhej më shumë si figurant e tjetri për trajner. Histori absurde, që mori fund mes polemikash në mesin e tetorit, kur u largua edhe Kurbelo, në një kohë që Fernandez kishte ikur më herët, duke akuzuar bashkëkombasin e vet për puç.
LIKËS PO I MBARON KOHA – Hasan Lika e njeh mirë Superioren, e di si funksionon në Shqipëri dhe nuk e kishte të lehtë të pranonte ofertën e Luftëtarit. Do t’i duhej të udhëtonte çdo javë qindra kilometra, nga Tirana në Gjiorokastër, ndërkohë që skuadra nuk ishte ndërtuar prej tij. Kur e preku nga afër realitetin, e pa që situata ishte edhe më e vështirë nga sa e mendonte. Talente ka plot, por disa role janë zbuluar dhe mbi të gjitha skuadra është e demoralizuar. Rezultate të dobëta, arbitra skandalozë, ndonjë bilbil nga tribuna bën çorap ndeshjen, si me Kukësin dhe rezultati përfundimtar është vetëm një fitore në 6 ndeshje kampionati, kundër Lushnjës modeste. Loja nuk është se po përmirësohet, përkundrazi. Me Laçin ishte një vuajtje pa fund dhe pika e marrë ishte ndoshta e tepruar, tifozët e kanë humbur durimin dhe po shfryjnë kundër trajnerit, i cili në fakt aq “armë” ka në dispozicion.
TRAJNER I HUAJ NË HORIZONT – Në Shqipëri nuk ka shumë trajnerë të lirë në qarkullim. Më të mirët janë të punësuar tashmë, ndaj në Gjirokastër duan një trajner të gatshëm të jetojë dhe të punojë në Gjirokastër gjatë gjithë javës, të rinisë gjithçka nga e para, mundësisht me disa përforcime cilësore në janar, duke nisur nga Vasil Shkurtaj, i cili do të debutojë në janar. Nga burime pranë klubit, gazeta mëson se presidenti Tavo ka nisur kontaktet me trajnerë jashtë vendit, kryesisht nga Italia, ku synohet një trajner me eksperiencë, por edhe me të kaluar të rëndësishme si futbollist. Shpresa është që deri në fund të dhjetorit të vijë një kthesë e fortë, por nëse me Flamurtarin vjen një tjetër humbje, e shtuna në mbrëmje mund të jetë ajo e startit të ndryshimit.