Kukësi do të ndeshet me Karabakun të mërkurën në orën 19:00. Një ndeshje e rëndësishme për kuksianët që do të diskutojnë kualifikimin për në turin e tretë. Takimi i parë ka përfunduar në barazim pa gola dhe në dukjet është një rezultat pozitiv, duke marrë në konsideratë faktin se kundërshtari ka shumë cilësi në përbërje.
Trajneri Cungu do të ketë dy lojtarë më shumë në dispozicion em Vangjel Zguron që ka shlyer pezullimin, si dhe sulmuesin Rexhinaldo që është bashkuar me grupin. Në takimin e parë skuadra ishte shumë e disiplinuar taktikisht dhe lojtarët zbatuan me rigorozitet udhëzimet e marra nga tekniku Cungu.
Edhe në ndeshjen e cila do të zhvillohet në Baku me shumë gjasa do të shohim të njëjtin formacion. Skuadra do të provojë përmes kundërzbritjeve që të befasojë kundërshtarët, si dhe do të jetë shumë e ngjeshur pas, me tre lojtarë në qendër. Sigurisht që çdo minutë që do të kalojë do të jetë në favor të kuksianëve dhe kjo gjë duket e do të shfrytëzohet nga verilindorët. “Arma” rezervë do të jetë Rexhinaldo, i cili me shumë gjasa do aktivizohet në fraksionin e dytë, për të kërkuar kualifikimin që në kohën e rregullt, gjithnjë nëse gjërat deri atëherë shkojnë sipas planit.