Ardian Ismajli bëri hapin e tij më të madh në karrierë. Nga Hajduku i Splitit në Serie A ishte si një ëndërr e bërë realitet për të, që për fat të keq ishin gati t’ja hiqnin nga duart në momentet e fundit. Autoritetet në Kosovë i kërkuan të nisej nga Tirana e jo nga Prishtina, madje edhe duke e kërcënuar me arrestim. Një ngjarje kjo që ka marrë jehonë edhe në Itali.
Megjithatë kjo histori është lënë pas nga lojtari dhe transferimi u krye me sukses. Një dëmtim ka bërë që ende të mos e shohim mbrojtësin shqiptar në fushë me fanellën e Spezias, por debutimi është afër. Ndeshja e radhës me Fiorentinën me shumë mundësi do të jetë e fundit e humbur për të, pasi brenda muajit tetor pritet ta shohim sërish në fushë. Transferta me Parmën në datën 25 tetor me shumë mundësi do të jetë edhe ndeshja e tij e parë në elitën e futbollit italian me fanellën e Spezias./Halit Delibashi-Sport Ekspres/