Departamenti Ligjor dhe i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit do të zhvillojë javën e ardhshme takime dypalëshe me klubet aplikante që synojnë të pajisen me licencë në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për edicionin e ardhshëm 2024-2025.
Gjatë këtyre takimeve bilaterale do të diskutohet në lidhje me kriteret që duhet të përmbushin klubet dhe problematikat me të cilat duhet punuar për të përmbushur të gjitha kushtet. Ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, klubet aplikante për licencë mund t’a dorëzojnë dokumentacionin e tyre jo vetëm fizikisht në Departamentin e Licencimit në FSHF, por edhe online.
Klubet duhet të përmbushin gjashtë kriteret që kërkohen për të përmbyllur me sukses këtë proces, që janë kriteri sportiv, kriteri i infrastrukturës, kriteri i përgjegjësisë sociale, kriteri ligjor, kriteri i administratës dhe personelit dhe kriteri financiar. Për pesë kriteret e para, afati i brendshëm për dorëzimin e dokumentacioneve si online ashtu edhe fizikisht, është lënë data 31 janar 2024, ndërsa afati përfundimtar është data 29 shkurt 2024. Kurse për pjesën e kriterit financiar afati përfundimtar është 31 mars 2024 sipas ligjeve të shtetit shqiptar.
Departamenti Ligjor dhe i Licencimit të klubeve ka organizuar edhe disa workshop-e me përfaqësues të klubeve të kampionateve “Abissnet Superiore” dhe “Kategorisë së Parë”, ku i është bërë e qartë mënyra dhe procedura se si duhet të plotësohet dokumentacioni për të përfituar në përfundim të procesit licencën për sezonin 2024-2025.