Gara për kreun e Federatës, në garë edhe Artan Shytaj?

Ish-sportisti i njohur dhe tashmë rektor në “Marin Barleti” mund të futet në “vallen” e tentativave për të ndryshuar kreun e FSHF-së

Pranvera 2018 shënon periudhën e zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe këtë radhë gara pritet të jetë e zjarrtë. Prej fillimit të shekullit të ri Armand Duka ka marrë “fronin” dhe ka fituar lehtësisht më pas disa zgjedhje, si për faktin se ka bërë një punë mjaft të mirë për ringritjen e institucionit që ishte në gjendje skandaloze para ardhjes së tij në drejtim, ashtu edhe ngritjes e organizimit perfekt të kombëtares shqiptare, që natyrisht na intereson në mënyrë të veçantë të gjithëve, brenda e jashtë Shqipërisë, duke qenë se mbledh shqiptarët anembanë botës. Përveç kësaj, në të shkuarën kandidatët që janë vënë përballë Dukës kanë qenë inferiorë në çdo drejtim, pa mbështetje e pa ndonjë platformë serioze. Tani duket se kundërshtarët e presidentit aktual e kanë marrë seriozisht idenë për ndryshimin e kreut të FSHF-së, edhe pse deri më sot ka shumë llafe e pak punë. Është përfolur se Bashkim Fino do të jetë një kandidat, edhe pse nuk dihet ende nëse si i pavarur, apo i propozuar nga Partizani, duke njohur lidhjet e tij me këtë klub. Gjithsesi, vetë Fino nuk ka dalë asnjëherë hapur dhe duket e vështirë që të pranojë.

SHYTAJ – Në pritje që të mësohet nëse Fino e ka seriozisht, apo është thjesht një emër që qarkullon kot nëpër media, tashmë në dritë del një personazh tjetër që mund të sfidojë Dukën.

Bëhet fjalë për Artan Shytajn, një personalitet i njohur i sportit shqiptar, atlet kampion, më pas trajner atletike dhe president i Federatës Shqiptare të Atletikës në periudhën 2000-2004. Drejtor i sporteve në Ministrinë e Kulturës dhe Sportit, Shytaj ka qenë hartues i Ligjit të Sportit më 2005-ën së bashku me Vesel Rizvanollin. Pedagog në Universitetin e Sporteve, me titullin Profesor Doktor Shkencash, Shytaj ka qenë drejtor i institutit kërkimor shkencor dhe tani punon si rektor tek Universiteti “Marin Barleti”.

Disa klube në Superiore po e shohin me interes emrin e Shytajt si kandidat, edhe pse ideja është vetëm në hapat fillestarë dhe vetë Shytaj nuk shpreh ndonjë entuziazëm të veçantë për idenë. I kontaktuar nga gazeta, Shytaj shprehet: “Në fakt, është një propozim që më është bërë, është ende një ide në hapat fillestare, nuk janë hedhur ende hapa konkretë në këtë drejtim. Nuk është se e kërkoj unë këtë përfshirje në garën për kreun e FSHF-së, për shumë arsye, duke nisur nga fakti që unë jam pjesë e Universitetit Marin Barleti dhe do të duhej të braktisja shumë gjëra. Të jesh president federate kërkon një impenjim kolosal, një punë të jashtëzakonshme dhe nëse do të kandidoja, do ta bëja vetëm nëse do të kisha mbështetje reale, jo në tym, sa për të shënuar emrin. Nëse presidenti aktual nuk do të kandidojë sërish, nuk do të isha kundër kandidimit, edhe pse e përsëris, ka shumë gjëra që më pengojnë të jem entuziast për një aventurë të tillë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *