Gara për trofeun e “Topit të Artë” këtë vit është ndryshe. Dyshja Mesi-Ronaldo nuk janë favoritë, ndërsa ka një garë treshe për fitimin e trofeut prestigjioz. Luka Modriç, Antuan Grizman dhe Kilian Mbape do të “luftojnë” deri në dhjetor midis tyre, ndërsa Xhanluixhi Bufon jep mendimin e tij për këtë çështje.
Italiani i portës së PSG ka folur për “Tout le Sport”, dukë dhënë mendimin e tij. Bufon është i impresionuar nga 19-vjeçari Kilian Mbape, të cilin e ka shok skuadre, dhe shpreson që të jetë francezi fituesi i këtij çmimi.
“Duke patur parasysh cilësitë e tij, për atë që tregon në fushë dhe për faktin që ishte deçiziv në Botërorin e Rusisë, them se e meriton ta fitojë Topin e Artë. Kilian ka një talent të jashtëzakonshëm dhe cilësi teknike, që nuk i hasim shpesh. Ai është një fenomen dhe, nëse vazhdon me dëshirën për t’u bërë më i miri në botë, do të ketë një karrierë të gjatë”, përfundon gardiani 41-vjeçar i PSG.