Real Madridi dhe Juventusi kanë arritur marrëveshjen për transferimin e Kristiano Ronaldos në Torino. Ky është lajmi që publikon spanjollja Marca, që konfirmon se tashmë lamtumira është çështje orësh dhe pritet vetëm njoftimi i klubeve.
Do të ishte transferimi i shekullit, që do të bënte jehonë shumë më tepër se Nejmar te PSG, rekordi në fuqi i merkatos, me 222 milionë eurot e paguara nga klubi francez.
Florentino Perez ka mbajtur fjalën, e ka lejuar Ronaldon të largohet për shifrën “modeste” prej 100 milionë eurosh, duke parë edhe moshën 33-vjeçare të portugezit, një legjendë e vërtetë në Madrid.
Mbrëmjen e sotme priten firmat mes dy klubeve, ndërsa vetë Ronaldo është me pushime, por e ka dhënë me kohë aprovimin e tij.
Jo rastësisht, Andrea Anjeli ka udhëtuar sot për në Greqi, për të takuar nga afër Ronaldon dhe për të hedhur firmat mbi kontratë.