Mesfushori kaloi në Vlorë në fillim të muajit, por ka kërkuar të kthehet në shtëpi, Kontrata me Flamurtarin nuk do të prishet
Argjent Gafuri kthehet në shtëpi, pa u larguar mirë prej saj. Mesfushori ofensiv, i cili prej fillimit të këtij viti u bë pjesë e Flamurtarit, është penduar shpejt dhe para pak ditësh i kërkoi Flamurtarit leje që të kthehej në shtëpi, edhe pse në fund të vitit të shkuar pranoi ofertën e Shpëtim Duros. 28-vjeçari, i cili ka luajtur gjatë gjithë karrierës te Renova, ishte një goditje mjaft cilësore për Flamurtarin, por nuk shkoi ashtu si pritej dhe jo për faj të Flamurtarit.
Ishte hera e parë që Gafuri largohej nga familja e vet dhe duket se nuk e ka përballuar mirë psikologjikisht këtë gjë, ndaj edhe kërkoi prishjen e kontratës, duk u larguar për në Maqedoni që para ndeshjes kundër Partizanit. Një lajm shumë i keq për Duron, i cili e kishte programuar Gafurin si pjesë të rëndësishme të skuadrës dhe ndërlidhës të mesfushës me sulmin, por trajneri kuqezi nuk mund ta mbante me forcë lojtarin.
Gjithsesi, administratori Sinan idrizi nuk ka pranuar ta lërë të lirë dhe sot është gjetur zgjidhja, sepse mesfushori është huazuar te Renova për 6 muajt e ardhshëm. Duke pasur kontratë dy-vjeçare, Gafuri do të jetë i Flamurtarit pas këtij sezoni dhe në verë do të vendoset për të ardhmen e tij.