Mesfushori i ardhur nga Aktobe është drejt rikuperimit të plotë, ndërkohë mund të ketë sërish lëvizje. Diferenca e re me Skënderbeun bën që tifozët të ëndërrojnë
Elton Nika
Muarem Muarem me shumë mundësi do të jetë gati për të ndeshjen e të mërkurë me Partizanin. Mesfushori ishte i pranishëm në tribunë në ndeshjen e ditës së premte, ndërsa të mërkurën pritet të jetë në fushë. Gjithsesi gjendja e lojtarit, i cili kishte pësuar një kontraktim në ditët e fundit të fazës përgatitore, do të monitorohet me mjaft kujdes. Shanset janë që Muarem të bëjë debutimin me Flamurtarin të mërkurën. Mbetet për t’u parë nëse do e nisë nga stoli apo si titullar, por gjithçka do të vendoset në bazë të gjendjes së vetë futbollistit. Ndërkohë së fundmi ka pasur edhe një largim, pasi mesfushori Argjent Gafuri është rikthyer në Maqedoni. Burime zyrtare nga klubi vlonjat kanë konfirmuar se e ka pasur shumë të vështirë të qëndrojë larg familjes në këtë kohë, pasi mesfushori e nënën në gjendje jo të mirë. Shanset që ai të rikthehet sërish në Vlorë janë shumë të pakta. Megjithatë nga klubi vlonjat mësohet se me lojtarin do të bisedohet sërish në ditët e ardhshme, për të parë gatishmërinë e tij për t’u rikthyer sërish pjesë e Flamurtarit. Mesfushori ka kërkuar zgjidhjen e kontratës fillimisht, ndërsa klubi i ka lënë afat të mendohet për zgjedhjen e tij, duke tentuar dhe besuar se do të jetë sërish pjesë e Flamurtarit gjatë ditëve në vijim. Megjithatë pritet që gjithçka të marrë formë zyrtare dita e nesërme. Nëse lojtari nuk rikthehet sërish në Vlorë, opsioni më i mundshëm, atëherë vlonjatët do të tentojnë dhe një tjetër goditje në merkato, pikërisht për të zëvendësuar mesfushorin e larguar.
TITULLI
Flamurtari pretendent për titull. Në Vlorë nuk dëshirojnë ta komentojnë diçka të tillë, duke theksuar se do të shikohet nga ndeshja në ndeshje. Megjithatë dy sfidat e radhës në kampionat do të përcaktojnë shumë nëse vlonjatët do të mund të përmendin si objektiv fjalën titull. Pas ndeshjes së parë të çerekfinaleve të Kupës ditën e mërkurë me Partizanin në Vlorë, Flamurtari do të ketë dy transferta, pikërisht ndaj skuadrave pretendente kryesore për titull. Fillimisht në Kukës me kampionët në fuqi dhe më pas në Korçë me Skënderbeun kryesues. Dy ndeshje zjarri, në një kalendar që nuk e favorizon aspak Flamurtarin në këtë moment. Megjithatë vlonjatët kanë treguar se në në transfertë dinë të marrin rezultate pozitive. Fundjavën e ardhshme Flamurtari do të luajë në “Zeqir Ymeri” përballë Kukësit, në një fushë ku nuk ka arritur të fitojë apo barazojë dot. Ndoshta ky është momenti i duhur për të thyer këtë “tabu”. Menjëherë pas Kukësit vlonjatët udhëtojnë drejt Korçës, përballë Skënderbeut, që pas javës së 17-të ndodhet gjashtë pikë larg në renditje. Edhe në Korçë statistikat janë kundër Flamurtarit. Tek Flamurtari nuk dëshirojnë të nxitohen dhe të bëjnë deklarata të bujshme. Ndoshta pak javë më vonë mund të flitet ndryshe. Për momentin në Vlorë nuk përmendet asnjë objektiv, as fjala titull, pavarësisht se vendi i parë është shumë pranë se asnjëherë tjetër këtë sezon.