Gafa dhe paqartësi, sa i vlen lëkura Bajernit?

Ançeloti premton se ndaj PSG-së gjithçka do të ndryshojë, por kampionët e Gjermanisë duket se kanë probleme të thella brenda ekipit

Pas barazimit 2-2 me Volfsburgun, gjërat nuk janë njësoj te Bajerni. U mendua se fitoret bindëse me Maincin dhe Shalken ishin sinjalet e kalimit të krizës, por ajo që mund të kuptohet me lehtësi është se skuadra bavareze ka një problem me veten. Nuk ka lidhje as me skemën, as me formacionin, as me detaje teknike. Madje, edhe forma fizike nuk përmendet më, sepse Bajerni praktikisht luan futboll dhe të mirë. Çështja është se nuk luan për 90 minuta. Lojtarët e Karlo Ançelotit po përgatiten për ndeshjen në Champions League ndaj PSG-së, por nuk janë gati. Mbrojtja “fut ujë”, skuadra nuk është fare e përqendruar dhe trajneri italian është duke u kritikuar pa mëshirë nga çdo kënd.

Ançeloti
58-vjeçari, në fakt, nuk është i shqetësuar me luhatjet që skuadra e tij ka në rezultate, kryesisht në Bundesligë, ku ndodhet i treti me 3 pikë pas Dortmund, por me karakterin që djemtë duhet të tregojnë në fushë. “Patëm shumë mundësi dhe raste për ta fituar atë ndeshje, por gabuam në fund. Nuk luajtëm ashtu si duhet, pasi ishim më të avashtë se zakonisht, nuk kishim intensitet në fushë. Po luajmë çdo tri ditë, na kuptoni”, – ishin fjalët e Karletos pas barazimit në “Allianz Arena”. Trajneri italian premton se nuk do të ketë më të tilla barazime si ky i fundit, kur nga avantazhi 2-0 skuadra pëson dy gola në fushën e tij. Ai beson se ndaj parisienëve skuadra do të reagojë duke treguar një fytyrë tjetër. “Është një ndeshje e vështirë dhe luajmë në një fushë të vështirë. Por nuk kemi frikë, pasi jemi një ekip i madh dhe unë pres që skuadra të reagojë ashtu si duhet në këtë ndeshje. Duhet të tregojmë se ai barazim në kampionat ishte një rastësi. Unë pres shumë nga ekipi dhe jam i bindur se do të bëjmë një ndeshje të mirë”.

Tradita
Ndeshja me PSG-në është edhe një çështje filozofie. Bajerni do të tentojë të tregojë se futbolli tradicional, pa blerje të bujshme, pa marketing me çdo kosto, pa pronarë nga Katari, pa shpenzime marramendëse, por me ecurinë e arsyeshme të një klubi normal, mund të mposhtë një shtet të tërë, vendin e naftës dhe teprisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *