Ndeshjet e raundit të parë të grupit 3 të kualifikueseve të Europianit U-17 “Shqipëri 2025“ që u organizuan nga FSHF nën mbikëqyrjen e UEFA-s përfunduan ditën e sotme.
Kombëtarja shqiptare U-17 fitoi ndaj Ishujve Faroe në stadiumin “Egnatia Arena”. Kuqezinjtë triumfuan 1-0 dhe golin e vetëm të takimit e shënoi sulmuesi Gabriel Kulla.
Ndeshja tjetër e grupit 3 Kroaci – Holandë, që u luajt në “Shtëpinë e Futbolli” u mbyll me fitoren e Kroacisë 3-1.
Trajneri Andrea Tedesco hodhi në fushë këtë formacion titullar në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe: Raffaele Huli (GK), Darli Kurti, Lucas Cekrezi, Fabjano Nuhaj, Kris Gecaj (C), Ernesto Marqeshi, Andreas Llana, Serxhio Vogli, Rikardo Sheji, Gabriel Kulla, Emiljano Mihana.
Shqipëria e nisi mirë ndeshjen dhe dominoi në pjesën e parë, por pa mundur të gjente rrugën e rrjetës. Kuqezinjtë zhbllokuan rezultatin në minutën e 57-të me Gabriel Kullën. Sulmuesi shënoi një supergol nga goditja e dënimit dhe i dha avantazhin Shqipërisë.
Deri në fundin e ndeshjes rezultatin nuk ndryshoi pavarësisht se kuqezinjtë patën sërish disa mundësi të mira shënimi dhe ndeshja u mbyll 1-0 për Shqipërinë.
Një barazim, një humbje dhe një fitore, është bilanci i kuqezinjve të vegjël pas përfundimit të raundit të parë të kualifikueseve të Europianit U-17 “Shqipëri 2025“.
Finalet e Kampionatit Europian U-17 do të zhvillohen në Shqipëri në majin e vitit 2025, një ngjarje madhore që do të organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe UEFA. Kombëtarja shqiptare është e kualifikuar automatikisht në finalet e këtij kompeticioni si vend pritës.
Grupi 3 – ndeshjet e raundit të parë të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17
Shqipëri – Kroaci 1-1
Hollandë – Ishujt Faroe 6-0
Shqipëri – Hollandë 0-5
Kroaci – Ishujt Faroe 7-0
Ishujt Faroe – Shqipëri 0-1
Kroaci – Hollandë 3-1