Nga Gerti Çarçani
Mjaftoi një jubile i një marke të madhe si Partizani, dhe përsëri kauza e Sponsorizimit të munguar në futboll e sport rikthehet në qendër të diskursit emergjent dhe shumë të domosdoshëm. E pikërisht nga podiumi festiv i 80 viteve Partizan, presidenti i këtij klubi Gazment Demi orientoi maksimalisht vëmendjen e gjithkujt, me thirrjen e radhës drejtuar Qeverisë: Na duhet sa më shpejt ligji i Sponsorizimit!
Një mesazh për të disatën herë ky, por këtë radhë, Gaz Demi zgjodhi “foltoren” e festës përvjetor të klubit të tij, që të riprekte edhe një herë në memorien e burokracisë, atë që nuk po bëhet deri më tani. Dhe këtë mesazh e dha, në prani të mikut të tij, presidentit Armand Duka, por njëherësh, në prezencë edhe të miqve tij në Parlament, kritizerit konstant të FSHF-së Erion Braçe, dhe deputetit tjetër, mbrojtësit energjik të kauzës së padelit me 2.2 milionë euro nga taksapaguesit, Blendi Klosit.
Por, nuk është se sponsorizimi mbeti te këta ligjvënës. Kurrsesi. Në të njëjtën kohë si një strategji PR më vete, president Demi zgjodhi të fliste pikërisht për Ligjin e Sponsorizimit, duke shfrytëzuar minutat e 80 viteve Partizan, edhe për ata anëtarë Komiteti me mandat të mbyllur që ishin aty, dhe që reflektonin një lloj buzëqeshje rikonfirmimi, edhe për 4 vite të tjera në Komitet. Jo të gjithë, kuptohet. Por, kjo është histori tjetër.
President Gaz Demi (më pëlqen ta citoj kështu, edhe në këto radhë) edhe përpara anëtarëve të KE-së “së vjetër” për t’u bërë sërish e re, lancoi një apel për shtetin, por si një mesazh në ndihmë e suport të gjithckaje lëviz në futboll. Dhe këto zgjodhi t’i flasë nga sofra e tij, në festën e tij, me miqtë e tij, por me një mesazh, direkt edhe për mikun e tij, KM Rama:
Edi, duhet bërë, dhe sa më shpejt!
Dhe në fakt, nëse bëhet, këtë e dikton vetëm vullneti i Edi Ramës, pjesa tjetër është vetëm kontorno me karton jeshil! Dhe këtë patjetër që e konfirmonte me heshtje dhe me mimikë, edhe Ols Rama, që zgjodhi edhe ai atë mbrëmje festive të bashkë-priste tortën e 80 vjetorit me presidentin Demi, si për të shuar çdo tymnajë, brenda dhe jashtë oborrit të kuq, se shef Olsi kish ikur, apo Partizani e kish braktisur nga varka e tij. Por, sa herë ka të tilla “thyerje zemre” te O.Rama, aq herë forcohet një lloj “ndienje” për ta patur sërish aty, si krahë të djathtë, për të ndërtuar një skuadër, jo siç ndodhi gushtin e shkuar, ku një “stan” me shefa e gjithollogë i servirën presidentit këtë Partizan që është ende në det me dallgë. Por, më mirë të mbetemi te sponsorizimi, se ajo histori prish qejfe, e prek të vërteta që përherë dhëmbin…
President Demi, sikundër jo vetëm atë të mërkurë shiu, por edhe në raste të tjera insistoi që tashmë situata për ekipet tona nuk është thjesht e vetëm të marrim pjesë në Europë e kaq. Por, me buxhete të rritura, të forta dhe konkuruese ka ardhur prej kohësh momenti që ekipet shqiptare duhet të kapin grupet në Europë. Si dikur, gati-gati 10 vite më parë me Ardian Takajn e Skënderbeut. Grupet i lamë me të, dhe nuk kemi dhënë shembull të dytë. Ekipet shqiptare kanë qenë të shpërndara në ciklat e tyre të buxheteve mbijetuese, apo të pranueshme vetëm për Shqipërinë, e ku kanë bërë vetëm xhiro bosh në Europë. Me ca përjashtime të vogla, me Partizanin para disa sezonesh që ishte në playoff, dhe me Dinamon sezonin e shkuar.
Në një mënyrë apo tjetër, Demi është një hap para klubeve të tjera, sepse ka ngritur asetet, kompleksin dhe gjithcka tjetër i nevojitet një klubi bashkohor. Ky është fakt, kokëfortë, real dhe i prekshëm. Por, brenda tonalitetit të asaj që kërkoi ai, Ligji i Sponsorizimit është bërthama dhe mekanizmi i vetëm që do garantonte një stabilitet financiar dhe do të prodhonte buxhete konkuruese, edhe për Europë. Por, jo vetëm kaq. Nëpërmjet mesazhit të tij, presidenti la të kuptojë ndër rreshta që do vijë një moment kur dhe investimet familjare të presidentëve mund dhe do të shterrojnë, dhe kështu paraliza do të prekte pak nga pak situatën e brishtë financiare.
Por, përtej kësaj, apeli i fortë duhet të mos mbesë vetëm te ky mesazh që erdhi nga nata festive e Partizanit, por le të shërbejë edhe si një pikë referimi diskursi të intensifikuar drejt shtetit, nga familja e madhe e futbollit, në 16 shkurt, ku përtej dashurisë platonike dhe turravrapit, për një karrike në komitet, të shtojë më shumë zërin për më shumë influencë në shtet, në opinion, që sporti, e mbi të gjitha futbolli, të marrin atë që kanë vite që e kërkojnë, por Rama mazalla se e lëshon…Gaz Demi “orientoi” festën e tij drejt këtij mesazhi, radhën e kanë të tjerët. /Sport Ekspres/