Milani do të përballet ditën e nesërme me Hellas Veronën, ndeshje e cila është mjaft delikate për kuqezinjtë. Historia flet se veronezët janë treguar përherë një “kockë e fortë” për “djallin”, ku në disa raste i kanë marrë dhe fitoren. Për më shumë djemtë e Stefano Piolit vijnë nga një humbje turpëruese në Europa Ligë ndaj Lilës. Kjo ishte performanca më e dobët e Milanit që prej muajit Mars, teksa ishte humbja e parë në 26 ndeshje.
Në konferencën për shtyp në kuadër të sfidës ndaj Hellas Verona, Pioli pranoi se skuadra e tij kishte një ritëm mjaft të dobët me Lillen dhe kjo nuk duhet të përsëritet. “Ndaj Lille nuk ishim në lartësinë e duhur dhe edhe djemtë e dinë. E analizuam bashkë dhe gjetëm aspektet negative. Nuk duhet ta ulim kurrë nivelin tonë dhe ritmin.Kundërshtarët na japin hapësira, ne nuk i kemi lexuar siç duhet. Ndeshjet ndryshojnë, kundërshtarët na respektojnë më shumë, ne kemi cilësitë dhe njohuritë për të zgjidhur probleme të caktuara. Nesër duam me patjetër fitoren.”- u shpreh Pioli. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/