Kur helikopteri i Sali Berishës u ngrit nga fusha e stadiumit të Gjirokastrës në vitin 1997, Bashkim Fino, i cili po udhëtonte drejt Tiranës për t’u bërë kryeministri i vendit, nuk e mendonte kurrë që sido që të shkonin gjërat, ai do rikthehej sërish në atë pas fushë dy dekadave karrierë politike, për të kaluar pensionin e tij me sportin që për hir të së vërtetës ka dashur gjithnjë ta shohë e ta luajë.
Çfarë e shtyn një politikan që të zgjohet një mëngjes dhe të thotë: futbolli? Nëse është – paragjykimet elegante nuk krijojnë bezdi – se politika tani i rri ngushtë, atëherë ka keqardhje. Politika, sidomos në Shqipëri, është joshje e madhe. Njerëzit në këtë vend nuk qëllon shpesh që refuzojnë të dalin me hir nga skena e parlamentit dhe mos qoftë e thënë që Fino i ktheu sytë nga futbolli i zyrës sepse në politikë mesa duket “koha e tij mbaroi”. Kur njerëzve u thua politikë dhe futboll, rrudhin buzët. Në përgjithësi njerëzit në këtë vend shohin futboll pikërisht kur lodhen nga politika. Imagjinoni tani të shohin politikën në tribunën e nderit.
Nëse futbolli për zotin Fino është një opsion B, atëherë me siguri dikush duhet t’i sqarojë që për shumë njerëz nuk është opsion. Është pak a shumë buka e gojës, profesioni, pasioni dhe dëshira. Njerëzit nuk duan që futbolli të jetë ajo që të ngel në dorë kur politika e madhe nuk të ofron më asgjë. Arrigo Saki ka thënë që futbolli është gjëja më e rëndësishme mes gjërave të parëndësishme, por për njerëzit e futbollit, futbolli është gjëja vetë. Më të rëndësishme nuk ka.
Fino nuk është as i pari dhe as e i fundit. Itali, Gjermani, Francë. Presidentët e federatës kanë pasur ‘background’ politik. Ish-kryeministra ndoshta jo, por njerëz me përqasje të fortë. Askush nuk mund të ndalojë askënd që të ofrojë shansin e tij kudo, por Fino e di mirë, kur njerëzit kalojnë nga politika në futbollit njerëzit e shumtë, masa mendojnë: po ky çdo këtu, nuk i doli parlamenti?
E parë kështu, sfida e zotit Fino është e madhe, shumë e madhe. Opinioni nuk janë vetëm ata 67 delegatë. Është shumë më i gjerë dhe opinioni ka pasur gjithnjë një moto – ‘politika larg duart nga futbolli’.
Ajo që zoti Fino po ndërmerr nuk ka shumë lidhje me atë që ai para 20 vitesh e kishte pasion të madh: futbollin me porta të vogla. Asokohe luante një herë në dy ditë dhe ashtu pasionant si ishte, ankohej për cdo penallti kundër. Në atë kohë një miku i tij, që e ka pasur gjithnjë kundërshtar në fushë, i drejtohej gjysmë me shaka: këtu nuk vendos ti, nuk po luan kundër atyre të FRESH-it. Vitet kaluan dhe djemtë e FRESH-it u bënë ndoshta dhe kryetarë bashkie. Atyre bashkive që do shkojë t’u kërkojë votën. Te thuash që s’ka politikë nuk është e ndershme, të thuash pastaj që Fino s’di ta bëjë ky është paragjykim.
Ai kurs i fakultetit ekonomik paska pasur dy persona që futbollin e dashkan si drita. Dukën dhe Finon. Shokët e shkollës tani do luajnë “tre korne, një penallti”.
T’i themi gjërat si janë. Kur Fino u ngjit në atë helikopter as nuk e mendonte se një ditë do t’i shtrinte dorën futbollit. Ishte kryeministri i vendit dhe kur je kryeministri i vendit futbolli të duket… Asgjë. Sot e kërkon futbollin sepse në politikë mbeti gjithnjë një ‘ish’. Suksese zoti Fino, fitoftë më i miri, por mos na konsidero një opsion B. Nuk është e thjeshtë, por imagjino sikur presidenti i FSHF-së të jetë njësoj si kryeministri. E bën dot prapë?
…
Meqenëse jemi te politika, jo rrallë partia në pushtet vendos presidentin e federatës së futbollit. Në Bjellorusi dhe Azerbajxhan e vendos partia, ndërsa në Kazakistan është edhe pjesë e shërbimit informativ. Në Rusi dhe Ukrainë e vendos Ministri i Shtetit. Ky nuk është sigurisht rasti ynë…
e ke shkruajtur shume mire po shume bute. Fino vjen nga politika per dy arsye: te ndaje taven e futbollit, se nuk shpjegohet ndryshe dorezimi i mandatit te deputetit dhe te beje partizanin kampion per disa vite me rradhe. Me fjale te tjera gropa e futbollit ne te gjitha drejtimet. suksese me te mirit (te leshit!)