Dhuna ndaj arbitrit Thanasis Tzilos ishte një nga lajmet që tronditi futbollin grek mëngjesin e ditës së djeshme. Gjyqtari i FIFA-s, u rrah nga katër persona të paidentifikuar dhe siç është raportuar ka pësuar plagë në kokë edhe në trup. Ditën e sotme 35-vjeçari la spitalin e Larisës dhe lidhur me këtë çështje federata greke ka marrë një vendim.
Ndeshjet e programuara të Superligës greke, për këtë fundjavë do të shtyhen, teksa për momentin kampionati është pezulluar. Fillimisht në komunikatë doli shoqata e arbitrave, të cilët u shprehën se ngjarja ishte e turpshme dhe se do të tërhiqeshin nga aktiviteti deri në një njoftim të mëtejshëm.
Gjithashtu shoqata më tej shtoi se, nuk do të lejonte që ngjarje të tilla të terrorizojnë arbitrat në punën e tyre. Më pas ishte federata greke që reagoi duke thënë se ndeshjet e programuara për t’u luajtur në datat 22 dhe 23 dhjetor do të shtyhen për një datë të pacaktuar.