Një nga ikonat e Tiranës, Agustin Kola, kthehet të flasi për futbollin. “Futbolli është luftë, i kam thyer këmbët vëllait në lagje”, kaq mjafton për të kuptuar shpirtin luftarak që ish-sulmuesi ka pasur gjithnjë në fushën e lojës. Në një intervistë për “Edicioni Veror” në “ABC Neës”, Kola vlerëson Tiranën për titullin e fituar, ndërsa më pas vëmendjen e dërgon te Shqipëria.
I mahnitur me bukuritë e vendit, ish-futbollisti tregon edhe një histori të veçantë që protagonist ka zëvendëspresidentin e klubit ku ka luajtur në Greqi. Në një vizitë të bërë në Shqipëri, drejtuesi helen është mrekulluar me bukurinë e Llogarasë, aq sa i ka quajtur të çmendur shqiptarët që shkojnë e punojnë në vendin fqinj.
“Kundërshtarë ishim në fushë, aty te e gjelbra. Pas ndeshjes ishim miq. Armiq në fushë, miq jashtë. Sporti është luftë, me vëllanë isha kundërshtar në lagje dhe i kam thyer këmbën. Pastaj mbaron ndeshja dhe mbyllet gjithçka”.
Tirana
“Është meritë e ekipit, Tironës, titulli kampion. Ka meritë shumë presidenti Halili, ekipi, trajneri Egbo tek i cili nuk kishin shumë besim, por është profesionist. Pas gjynaheve të para tre viteve, u mor titulli. Ishte festë e madhe. Isha ndeshjen e fundit në stadium. Nuk luhet pa tifozë. Nuk ka kuptim pa tifozë. Ata ta japin moral, edhe nëse të shajnë apo të lavdërojnë. Nuk mund të bëhet koncert pa spektatorë“.
Shqipëria
“A ka gjë më të bukur se Shqipëria?! Na ka dhënë Zoti një vend të bukur. Kam dalë jashtë vendit, por ne kemi një vend që nuk e ka kush. Do ju tregoj një histori, të vitit 1992. Luajta pesë vite në Greqi, në kohën e demokracisë. Prita zëvendëspresidentin tim në Rinas dhe e shëtita nga Tirana e deri në jug. Sa kaluam në Llogara, bërtiti ‘mbaje, mbaje.
Çfarë ke i thashë unë dhe m’u kthye: ‘Jeni të çmendur, keni detin, malin ngjitur. Ne bëjmë kilometra për të shkuar. Edhe vini e punoni për ne’. U çudit nga vendi ynë. Divjaka ishte kamp punëtorësh, sot më duket si të jem në vendet tropikale. Shikoni perëndimin, çfarë na ka dhënë Zoti. Është hera e parë që vi dhe u çudita me këtë mrekulli. Edhe shqiptarët janë të zgjuar dhe dinë të bëjnë diçka. Sot çuditem me këtë vend”, ka thënë Agustin Kola./Halit Delibashi-Sport Ekspres/