Të dielën Delvina priste Butrintin në një derbi të nxehtë në Kategorinë e Dytë. Si zakonisht, në lojë ishte diçka shumë më e madhe se Kupa e Botës: krenaria krahinore, inatet e vjetra, qe mbarten nga viti në vit, mburrja për pak muaj, deri në ndeshjen e kthimit.
Fitoi Delvina, por ndeshja ka qenë nje katrahure e vërtetë, aq sa ta quash futboll është kompliment i tepruar. Pamjet e shpërndara nga faqja e Butrintit në Facebook tregojnë pamje rrëqethëse, si në vitin 1997, me tifozë që janë gati të futen në fushë, aty ku sheh skena si në Far West. Arbitër ishte Kreshnik Cjapi, i cili bëri gafën e të dhënit një karton të verdhë për një ndërhyrje me karate. Rregulli numër 1: Edhe nëse je arbitër i Superiores, kujdes me kartonët në Kategorinë e Dytë, sidomos në derbi, ku një karton i verdhë kushton disa dhëmbë. Cjapi deshi të zbatonte rregulloren deri në fund dhe tregoi një të kuq, duke rrezikuar shumë, pasi një futbollist tenton ta nxjerrë me ambulancë nga stadiumi.
Gjithçka ndiqet nga futbollistët e shastisur të Butrintit. IMAGJINONI SIKUR TË FITONIN?!