Ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, kërkon të rimarrë drejtimin e klubit shkodran dhe është i gatshëm të marrë të gjitha aksionet, apo një pjesë të aksioneve, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër. Duke folur në Gol pas goli, Fushaj premton kthimin e Vllaznisë në majë në pak vite, por me kushtin që të punojë i qetë dhe të ketë dorë të lirë.
“Dua që ta menaxhoj Vllazninë i vetëm, pa ndërhyrje, të kem mundësi të punoj dhe të investoj në këtë klub, ashtu si kam bërë në kohën kur isha unë në krye. Dua shumicën e aksioneve, e kam bërë ofertën time, e ka në dorë Bashkia.
“Shkodra nuk e pranon dot këtë Vllazni. Shkodranët duan një Vllazni për vendet e para dhe kthimi i Vllaznisë në krye ka kosto shumë të madhe. E dua Vllazninë me shpirt dhe nëse do të jem unë në të ardhmen, do ta kthej Vllazninë aty ku duhet.
“Vllaznia në majë si Skënderbeu? Duhet vlerësuar Skënderbeu për faktin që ka mbërritur aq lart. Duhen pak vite punë, Vllaznia është një emër i madh dhe me punë e investime bëhet një ekip i mirë. Me menaxhimin e duhur dhe skuadër të mirë, tifozët e Vllaznisë janë pas dere. Në ndeshjen e fundit të sezonit të shkuar me Tiranën tifozët e treguan veten, u dhanë të kuptojnë drejtuesve se janë aty, gjithnjë pranë ekipit.
“Nuk them që e dua Vllazninë i vetëm, e dua me Bashkinë, duke qenë ortak me të. Unë dua shumicën e aksioneve, nuk e di për biznesmenë të tjerë. Fjalë ka shumë, por nuk ka emra konkretë. Nëse del dikush i gatshëm të investojë, jam i gatshëm të ndajmë aksionet dhe të investojmë për rritjen e Vllaznisë. Kur kam qenë te Vllaznia e kam mbajtur i vetëm, me vetëm 80 milionë lek të vjetra, ndërsa në UEFA jemi eliminuar nga Tuni në minutën e fundit dhe atëherë shpërblimet nga UEFA ishin shumë më të vogla. Tani kushtet janë shumë më të favorshme, por duhet një përpjekje shumë më e madhe për ta kthyer Vllazninë aty ku duhet. Ka probleme pa fund, që nga moshat e infrastruktura, por unë e di rrugën si kthehet klubi ku duhet.
“Vllazni shkodrane? Nuk bëhet ekip vetëm me shkodranë, nuk i plotëson dot Vllaznia gjithë nevojat e veta.
“Gjoka? Është zgjedhja e klubit, besoj se do të bëjë një punë të mirë. Ka edhe trajnerë të tjerë në Shkodër, por Gjoka mund të bëjë mirë”.