Fundi i muajit të mjaltit, tifozët “masakrojnë” Sadikun

Një muaj në Poloni dhe menjëherë ferr për Armando Sadikun. Zakonisht muajt e parë shërbejnë për ambientim dhe klubi e tifozët tregohen të duruar, por nuk ndodh kështu te Legia. Klubi më i madh polak ka tifozë shumë kërkues, që pretendojnë titullin çdo vit, por edhe grupet në Champions.

Vjet ia doli Besnik Hasi, e çoi Legian në grupe pas shumë e shumë vitesh, por arritja e tij u harrua që në vjeshtë.

Tani “lumi” i kritikave po rrëmben Armando Sadikun. 9 ndeshje në të gjitha kompeticionet, shumë vrap e dëshirë, 3 gola, por shumë pak për tifozët. Eliminimi në Champions ka qenë goditje mjaft e rëndë dhe tifozët i kanë zbrazur nervat te blerja më e shtrenjtë, Sadiku.

Paraqitja ndaj Sherifit ishte mediokre nga gjithë skuadra, por mesfushori francez Mulin, mbrojtësi Dabrovski dhe Sadiku janë fundosur në forumet e tifozëve, si ai “legionisci.com”, ku për sulmuesin shqiptar ka pasur kritika pa fund, nga kontrolli i dobët i topit e deri te dobësitë në luftën ajrore, pa harruar problemin madhor, Sadiku u ble për gola, shumë gola.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *