Nga Klaudio Ndreca
Tashmë duhet të mësohemi se në këtë periudhë do të kemi ndryshime të shpeshta në listën e Kombëtareve. Kjo pasi ekipet nuk po lejojnë futbollistët që t’i bashkohen lehtësisht vendit që përfaqësojnë me frikën e pandemisë. Për këtë arsye një ndryshim i ri është bërë gati te lista e Shqipërisë. “Sport Ekspres” mëson nga burime të sigurta pranë lojtarit se sot në drekë ka mbërritur ftesa për Emiliano Bullarin. Trajneri Reja e ka grumbulluar sulmuesin e talentuar dhe dëshiron që ta shoh më nga afër për dy ndeshjet e radhës së Ligës së Kombeve.
Ky është sulmuesi i talentuar që ka dalë si produkt nga Olimpiakosi, atje ku Shqipëria bëri gjithçka për t’ia marrë Greqisë. Trajneri Bushi do ta thërriste te Shqipëria U-21 duke vendosur një rekord të ri, pasi më herët askush tjetër nuk kishte luajtur në moshën 17-vjeçare për Shpresat tona. Emiliano Bullari ia doli dhe menjëherë arriti që të shënonte në debutim kundër Turqisë, në atë barazim dramatik dhe emocionues në shifrat 2-2. Tanimë është mundësia e artë për Bullarin që të shfaq të gjithë potencialin e tij te Kombëtarja A. /Sport Ekspres/