Pas një ndërprerjeje 1 vjeçare për shkak të kushteve të krijuara nga pandemia covid-19, është zhvilluar dhe ka përfunduar me sukses edicioni i tetë i kursit të Drejtorit Sportiv që organizohet nga Sektori i Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ky kurs nisi më 18 tetor dhe përfundoi ditën e sotme, më 6 nëntor duke zgjatur për thuajse 3 javë, me leksionet e zhvilluara në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.
Në këto seanca të përditshme morën pjesë 20 kursantë, mes tyre edhe emra të njohur që kanë qenë pjesë e Kombëtares shqiptare si Migjen Basha, Elvis Sina etj., të cilët patën mundësinë të ndiqnin leksionet e përgatitura nga drejtuesit e Sektorit të Edukimit në FSHF, Astrit Maçi dhe Alban Tafaj.
Pas përfundimit të testit final që u zhvillua ditën e sotme, u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave, ku të pranishëm ishin Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku si dhe drejtuesi i kursi Astrit Maçi. Të gjithë kursantët janë pajisur kështu me kartën e licencimit, duke pasur mundësinë të ushtrojnë detyrën e tyre nëpër klube.