Drejtuesit e ekipit serb po marrin masa të jashtëzakonshme sigurie në lidhje me ndeshjen e nesërme me Skënderbeun, pasi u druhen incidenteve
Skënderbeu mori masa të forta sigurie për ndeshjen me Partizanin e Beogradit në “Elbasan Arena”, ku thuajse gjithçka shkoi mirë. Megjithatë, UEFA e dënoi klubin korçar me një ndeshje pa tifozë dhe 60 mijë euro gjobë. Nuk është se ndodhën incidente, por dy të deleguarit e UEFA-s në atë ndeshje raportuan edhe gjërat më të vogla, ndonjë sharje sporadike të tifozëve në shkallët e stadiumit.
SERBËT – Duke parë si shkuan gjërat në Elbasan dhe më pas dënimin e UEFA-s për Skënderbeun, palën serbe e ka zënë frika, kur dihet që në stadiumin e Beogradit nesër pritët të jenë rreth 40 mijë vetë. Ishin ata të parët që vlerësuan pritjen në Shqipëri dhe ecurinë e ndeshjes pa asnjë incident. Madje, presidenti i Partizanit të Beogradit, u shpreh se do të ndihej i turpëruar, nëse edhe Skënderbeu nuk do të pritet në të njëjtën mënyrë në Serbi. Ja ku ardhur momenti i kthimit të vizitës dhe në klubin serb ka një angazhim të jashtëzakonshëm për mbarëvajtjen e ndeshjes. Drejtuesit e ekipit po mundohen të sensibilizojnë sa më shumë tifozët e tyre për të shmangur koret raciste dhe çdo incident, që më pas do të kishte kosto për Partizanin, sepse UEFA nuk fal në të tilla raste. Nuk duhet të ketë asnjë fjalë kundër shqiptarëve, pasi në të kundërt do të ketë pësoja të rënda.
Nga shtypi serb mësohet se klubi i Partizanit po mundohet të marrë masat e duhura për të shmangur çdo situatë të padëshiruar. Millosh Vazura, i cili mban postin e drejtorit të përgjithshëm të Partizanit, është shprehur se tifozët nuk duhet të përmendin as fjalën “shqiptar”, pasi merret në konsideratë si fyerje për kundërshtarin. “Nga tifozët tanë në asnjë moment nuk duhet të dëgjohet fjala “shqiptar” gjatë ndeshjes me Skënderbeun, sepse nga UEFA cilësohet si fyerje. Për këtë mund të ndëshkohemi. Kërkojmë nga tifozët thjesht të mbështesin Partizanin dhe të shmangin çdo gjë që mund të përdoret si argument për të na dënuar. Problemi është se nuk do të ketë më gjoba apo ndeshje pa tifozë. Mund edhe të përjashtohemi. Klubi ynë po merr masat e duhura, por duam edhe ndihmën e tifozëve.
KAMERAT – Stadiumi i Beogradit do të jetë nën masa të rrepta sigurie dhe çdo gjë do të jetë e monitoruar nga çdo anë. “95 kamera do të kenë nën vëzhgim gjithë pjesët e stadiumit dhe çdo person, i cili do të krijojë incidente, mund të identifikohet me lehtësi nga këto kamera. Do të jenë të angazhuara rreth 700 forca për sigurinë në stadium dhe shpresojmë ë çdo gjë të shkojë sa më mirë” – tha drejtuesi i klubit serb, Vazura.