Kamza e nisi kampionatin me tre pikë, teksa mundi Tiranën në transfertë. Goli i Sebino Plakut bëri që skuadra periferike e kryeqytetit të gëzonte. Një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kamzës, Erlis Frashëri, për “RTSH Sport” është shprehur se asgjë nuk ishte rastësi.
“Morëm tre pikët, por kemi punuar gjatë gjithë muajit. Profesor Devvolli ka futur një frymë tjetër. Nuk ishte rastësi që morëm tre pikët”, tha mes të tjerash korçari i linjës së djathtë të mbrojtjes. Ndeshja e radhës luhet kundër Partizanit në shtëpi.
“Do punojmë fort që të marrim rezultat pozitiv edhe me Partizanin. Janë të fortë, por ne kemi më shumë kualitet. Do kërkojmë të fitojmë”, deklaron Frashëri. Ndaj të kuqve ndeshja do të luhet pa tifozë, pasi Kamza është e dënuar nga Komisioni i Disiplinës.
Këtë verë Frashëri ishte pranë rikthimit te Skënderbeu, por në fund qëndroi te Kamza. “Më bindi projekti, më bindën lojtarët që kanë ardhur. Jam i kënaqur që jam sërish pjesë e Kamzës”, përfundoi anësori.