Tifozët e Aintrahtit të Frankfurtit do të zhvillojnë një demonstratë paqësore të dielën, për të protestuar ndaj klubit për vendimin e ndarjes me idhullin e tifozerisë Aleksandër Majer.
Të dielën, në orën 5-8, stadiumi Commerzbank-Arena do të hapet për tifozët, që janë organizuar vetë dhe priten 2000 deri në 2500 të pranishëm në stadium.
Më 19 maj Aintrahti i Frankfurtit fitoi Kupën e Gjermanisë, duke mundur bujshëm Bajernin e Mynihut në finale. Ishte ndeshja e fundit e trajnerit Niko Kovaç në stol, por ishte edhe ndeshja e fundit e sulmuesit Aleksandër Majer me fanellën e klubit ku ka kaluar thuajse gjithë karrierën. Nuk ishte as në stol në finale, por tifozët e kërkuan me ovacione. E quajnë “Mbreti i futbollit” dhe ai doli në skenë, ngriti kupën në ajër dhe u kthye sërish në rreshtin e pasmë.
Pas 14 vitesh, sulmuesi 35-vjeçar duhet të gjejë ekip tjetër. E dhimbshme, aq më shumë që bëhet fjalë për një lojtar që ka shënuar 93 gola në Bundesligë (119 në total) për Frankfurtin, duke qenë shënuesi i katërt më i mirë në historinë e klubit.
Megjithatë, Majer nuk do e mbyllë me futbollin, edhe pse nuk e fsheh zhgënjimin: “Jam i trishtuar, është një fund i hidhur, ëndërroja ta mbyllja karrierën te Frankfurti. Ndihem në formë, kam punuar shumë për t’u riaftësuar në muajt e fundit dhe dëshiroj të luaj futboll, kjo është kryesorja për mua. Nuk e di ende të ardhmen, nuk e imagjinoj dot të kthehem nga pushimet dhe të mos shkoj në stërvitje me Frankfurtin”.