Francesco Troise mban leksion si i ftuar special nga FSHF për kursantët e “UEFA PRO”

Pas Fabio Cannavaros, ditën e sotme në “Shtëpinë e Futbollit” si i ftuar special nga FSHF ka mbajtur një leksion për kursanët e “UEFA PRO”, Francesco Troise, i cili në karrierën e tij ka punuar me ish-mbrojtësin e famshëm italian në disa klube të ndryshme.

Edhe ky aktivitet u drejtua nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, ndërsa Francesco Troise zhvilloi një leksion të gjatë i ndërtuar në formën e një bashkëbisedimi me temë “Futbolli prapa skenave: Sa, si dhe pse, një asistent duhet të mbështesë punën e një trajneri”.

Francesco Troise shpjegoi me detaje rolin e zëvendëstrajnerit në skuadër duke theksuar se bashkëpunimi dhe komunikimi i mirë me stafin teknik, lojtarët dhe kupolën drejtuese të klubit është çelësi kryesor i suksesit. Gjithashtu ai shpjegoi edhe disa tema të tjera që kishin të bënin me posedimin e topit gjatë fazave të lojës dhe organizimin e lojës sulmuese.

Më tej, ai ndau me kursanët e “UEFA PRO” edhe eksperiencën e tij në botën e futbollit, duke veçuar momentet fantastike të bashkëpunimit me Fabio Cannavaron. Francesco Troise foli edhe për vështirësitë që ka hasur gjatë gjithë karrierës së tij.

Kursi për licencën e trajnerit “UEFA PRO” që është niveli më i lartë për një trajner futbolli ka nisur prej disa muajsh dhe shpeshherë pjesë e leksioneve janë edhe trajnerë të njohur në vendin tonë por edhe të ftuar special nga jashtë vendit, që diskutojnë dhe ndajnë eksperiencën e tyre me kursantët.