(FOTOGALERI) Në Strumica…

0

Rrugë e qetë nga Shkupi në qytetin pranë kufirit bullgar. Atmosferë e vakët, edhe pse sot pritet të ndizet. Në hotel nuk pipëtin asgjë, lojtarët nuk zbresin. Stërvitja me fytyra të qeshura

Anton Cicani

Siguri maksimale, asnjë vizitë në hotel dhe qetësi absolute… Kombëtarja shqiptare ka mbërritur dje në Strumica të Maqedonisë, ku është akomoduar në hotelin Gligorov, një nga dy hotelet e qytetit të vogël. Ndonëse po afron ndeshja, në qytet nuk ka ndonjë atmosferë të veçantë dhe ka shumë pak lëvizje. Me siguri gjithçka do të ndryshojë sot, sepse priten shumë tifozë sidomos nga Shkupi, ndërsa do të jenë të pranishëm edhe 450 tifozë shqiptarë. Masat e sigurisë për kombëtaren kuqezi janë të jashtëzakonshme, me polici të shtetit dhe polici private, ndërkohë që edhe filmimi me kamera e me telefonë është i vështirë, pasi herë pas here rojet e sigurisë kërkojnë ndalimin e filmimeve.

Stërvitja – Mbrëmjen e djeshme, kombëtarja kuqezi e Panuçit zhvilloi edhe stërvitjen e fundit. Vetëm disa kamera dhe fotografë, teksa pas 15 minutash, trajneri ka urdhëruar largimin e të gjithëve, duke zhvilluar gjithçka me dyer të mbyllura. Megjithatë, kuqezinjtë janë dukur mjaft të qeshur dhe me besim të plotë.

Stadiumi  – Stadiumi “Mladost” në Strumicë do të jetë i plotësuar deri në vendin e fundit, pasi të gjitha biletat për përballjen eliminatore Maqedoni-Shqipëri, janë shitur. Kështu është paralajmërimi nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, e cila konfirmo lajmin se një pjesë më e madhe e biletave janë shitur në momentin që janë paraqitur në treg. Sipas marrëveshjes, Federata Shqiptare e Futbollit ka në dispozicion 450 bileta për këtë përballje. “Biletat janë shitur , ndërsa ka mbetur vetëm një pjesë shumë e vogël e biletave për këtë përballje, të cilat janë shitur në rrjetin e shitjes “MkTikets” dhe në Strumicë,” konfirmuan nga FFM në pres konferencën e fundit para përballjes me Shqipërinë.

 

Rasti “Prilep” –  Praktikisht, priten 6000 tifozë maqedonas në stadium, që do të përpiqen të ndezin atmosferën, teksa frika e koreve raciste është e madhe, edhe pse incidente si në Prilep vështirë të ndodhin. Kujtojmë që pikërisht baza e grupimit “Majmuni”, tifogrupi famëkeq maqedonas, ndodhet në Prilep. Ishte viti 2011 dhe po luhej sfida miqësore Maqedoni-Shqipëri. Në stadium ka pasur tifozë mjaftueshëm, duke parë rëndësinë e ndeshjes. Ajo që ra në sy ishin koret anti-shqiptare të tifozerisë maqedonase.

Gjatë gjithë 90 minutave, maqedonasit thërrisnin në kor kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Numri i tifozëve kuq e zinj në stadiumin e Manastirit ishin pothuajse inekzistente. Pikërisht grupimi famëkeq “Majmuni” ishte edhe ai që shkaktoi trazira dhe arriti deri sa të këndonte koret e turpshme “Vdekje Shqiptarit”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.