E kanë përcaktuar si një ndër tre derbet më të “këqija” në botë dhe ndoshta nuk e kanë gabim… Dikur, Ivan Gvozdenoviç, teksa pyetej për debrin e Beogradit, mbante frymën dhe niste tregimin, nga tullat te xhamat e makinës te “izolimi” në shtëpi në rast se humbisje… Sepse, në rrugët e Beogradit, nuk mund të dalësh nëse ke çnderuar pjesën tënde të qytetit…
Sonte, një tjetër sfidë e tensionuar, kartonë të kuq, tre gola, njëri në minutën e 98-të dhe fitorja e Crvena Zvezdës 2-1, por sidomos spektakli pirotenik në tribuna, aty ku “Delije” dhe “Grobari” janë gjithmonë gati të ndezin stadiumin…
Ashtu si sonte, në “Maracana”, ku nuk u panë vetëm fyerje në kor, fishekzjarre, tymues dhe flakdanë, por dhe shkopa gome të policisë dhe një përplasje fizike mes tyre dhe “Delije”, tifozët e ekipit vendas.
Një konflikt i ndezur për shkak se rregulli i pashkruar është shkelur: policia nuk duhet të hyjë në sektorin e “Delije”, ashtu sikurse edhe atë të “Grobari”. Në tenativë për ta bërë, pasojat kanë qenë të mëdha, mes gjakut, grushtave dhe sendeve të forta.